Ndihmoi Zaevin, “Besa” largon Kastriot Rexhepin

Kryeministri maqedonas, Zoran Zaev, i shpëtoi mocionit të mosbesimit nga opozita falë mungesës së kuorumit. Vota e deputetit të Lëvizjes Besa, Kastriot Rexhepi, ishte vendimtare për opozitën por ai mungoi qëllimisht dhe është përjashtuar nga partia.

Mospjesëmarrja në seancën për votëbesimin e kryeministrit maqedonas, Zoran Zaev, i kushtoi politikisht të premten deputetit Kastriot Rexhepi.

Lëvizja Besa me anë të kryetarit Bilal Kasami njoftoi përjashtimin e Rexhepit nga partia dhe shkarkimin nga çdo emërim politik.

“Kastriot Rexhepi nuk u paraqit në Kuvend për të mbështetur mocionin e mosbesimit ndaj qeverisë, duke vepruar kështu në kundërshtim me vendimin partiak, me ç’rast dëmtoi rëndë edhe prestigjin e partisë, Lëvizja BESA,” shkroi Kasami në Facebook.

Rexhepi ka thirrur një konferencë për të hënën për të sqaruar mungesën e tij.

“Zoti e bekoftë Amerikën,” reagoi ai pasi mësoi për përjashtimin nga partia.

Këtë javë, teksa kolegët tentonin ta rrëzonin qeverinë, Rexhepi u shpreh me një video se nuk mund të rreshtohej krah partive antishqiptare dhe anti-perëndimore për të rrezikuar rrugën euroatlantike të Maqedonisë.

Për pasojë, kryeministri Zaev i ka shpëtuar mocionit për 90 ditë të tjera.

Por situata e ka lënë Kuvendin të ndarë 60 me 60, mes shumicës e pakicës.

VMRO-ja opozitare ka kërkuar zgjedhje të parakohshme për të dalë nga ngërçi, ndërsa dështimin e mocionit e ka vlerësuar ndryshe mazhoranca, duke e komentuar si fitore të forcave pro-NATO dhe pro-BE, ndaj ka kërkuar dorëheqjen e kryeopozitarit Mickoski nga VMRO-ja.

Kategoritë
LajmeRajoni