Në Bruksel mbahet takimi “kritik” i Këshillit NATO-Rusi

Në platformën e diskutimeve bisedohet për sigurinë evropiane, duke përfshirë situatën në Ukrainë dhe rreth saj

Takimi i Këshillit NATO-Rusi filloi sot në Bruksel për të diskutuar sigurinë evropiane, duke përfshirë situatën në Ukrainë dhe rreth saj, raporton Anadolu Agency (AA).

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, njoftoi në Twitter se “takimi i Këshillit NATO-Rusi është duke u zhvilluar”, duke e quajtur atë një “moment kritik për sigurinë evropiane”.

“Kur tensionet janë të larta, është edhe më e rëndësishme që ne të ulemi rreth të njëjtës tryezë dhe të adresojmë shqetësimet tona”, theksoi ai.

Kjo është hera e parë që zyrtarë nga vendet e NATO-s dhe Rusia bisedojnë në këtë format që kur NATO pezulloi gjithë bashkëpunimin praktik me Moskën në vitin 2014 për shkak të ndërhyrjes ushtarake të Rusisë në Ukrainë.

Takimi i platformës së konsultimeve është një hap i rëndësishëm drejt normalizimit të marrëdhënieve NATO-Rusi pas tensioneve të vitit të kaluar mbi akuzat për spiunazh dhe stacionimit të vazhdueshëm ushtarak të Rusisë në dhe rreth Ukrainës.

Partnerët pritet të diskutojnë dy projekt-marrëveshjet mbi garancitë evropiane të sigurisë që Rusia ua dorëzoi SHBA-së dhe NATO-s muajin e kaluar.

Javën e kaluar, Stoltenberg kishte thënë se pas takimit të jashtëzakonshëm të ministrave të jashtëm të NATO-s, Aleanca do të dëgjojë shqetësimet e Rusisë, por gjithashtu do të ndajë këndvështrimin e vet mbi veprimet ruse, duke përfshirë ngritjen ushtarake “të paprovokuar dhe të pajustifikuar” në dhe rreth Ukrainës.

Ai tha se NATO është e interesuar për dialog të sinqertë me Rusinë, por ruajti qëndrimin e bllokut ushtarak ndaj Ukrainës.

Delegacionet amerikane dhe ruse diskutuan çështjet dypalëshe të hënën gjatë bisedës së tyre tetorëshe në Gjenevë, por nuk arritën ndonjë përparim në çështjen e Ukrainës.

Kategoritë
BotaLajme