Në juglindje të Turqisë filluan faza të reja të operacionit antiterrorist “Eren”

Operacionet “Eren Cudi-Besta” dhe “Eren Kazan-Oğul” nisën në provincat juglindore Şırnak dhe Hakkari me pjesëmarrjen e 5.280 anëtarëve të forcave speciale të policisë dhe xhandarmërisë të ndarë në 352 njësi operacionale.

Operacionet antiterroriste “Eren” vazhdojnë me besim e vendosmëri dhe me mbështetjen e popullit, njoftoi Ministria e Punëve të Brendshme.

“Në këtë kuadër, në koordinim dhe njëkohësisht me operacionet “Kthetra-Vetëtima” e “Kthetra-Rrufeja” që po kryhen në veri të Irakut filluan brenda vendit operacionet “Eren Cudi-Besta” në Şırnak dhe “Eren Kazan-Oğul” në Hakkari, të cilat kanë për qëllim çrrënjosjen e organizatës PKK nga agjenda e vendit, parandalimin e kalimit të terroristëve midis zonave të ashtuquajtura vendstrehime dhe neutralizimin e terroristëve”, thuhet në vijim të komunikatës së Ministrisë.

Operacionet “Eren” filluan më 11 janar 2021 me qëllim zhdukjen e plotë të terrorizmit brenda territorit të vendit. Deri më sot në kuadër të këtyre operacioneve janë neutralizuar 22 terroristë, janë kapur 75 bashkëpunëtorë, janë asgjësuar 666 shpella, strehimore dhe depo, si dhe është kapur e sekuestruar një sasie e madhe armatimi-municioni, ushqimesh dhe materiale të nevojshme për jetesë.

Nga ana tjetër në operacionet “Kthetra-Vetëtima” [Pençe-Şimşek] dhe “Kthetra-Rrufeja” [Pençe-Yıldırım], që vazhdojnë në rajonet Metina dhe Avasin-Basyan në veri të Irakut në kuadër të operacioneve të jashtme janë neutralizuar me dronë të armatosur 5 terroristë.

Kështu është rritur në 42 numri i terroristëve të neutralizuar në operacionet “Kthetra”.

Kategoritë
BotaLajme