Në Kosovë filloi shpërndarja e ndihmave turke për Ramazanin

Me rastin e muajit të Ramazanit Fondacioni i Kryesisë së Çështjeve Fetare të Turqisë (TDV) dhe Unioni Turko-Islam për Çështjet Fetare (DITIB) me qendër në Gjermani do të shpërndajnë këtë vit në Kosovë pako ushqimore për rreth 2 mijë familje në nevojë.

Në shpërndarjen e organizuar në Prizren në bashkëpunimin me Zyrën e Këshilltarit të Çështjeve Fetare pranë Ambasadës së Turqisë në Prishtinë, morën pjesë zv/konsulli i Turqisë në Prizren, Xhenk Shen (Cenk Şen) dhe vullnetarë të DITIB dhe TDV.

Zëvendëskëshilltari i Shërbimeve Fetare, Bilal Xhoshkun (Bilal Coşkun) tha po përpiqen që ndihmat ushqimore të mbërrijnë tek personat në nevojë pa dallim feje, race dhe sekti.

“Në Kosovë po shpërndajmë një ndihmë prej rreth 2 mijë pako për personat në nevojë, të cilët i kemi përcaktuar në kuadër të një pune të përbashkët me myftinitë në Kosovë. Falënderojmë të gjithë bamirësit dhe vëllezërit tanë në Turqi dhe Gjermani për këto ndihma”, tha Xhoshkun.

Ndërsa përfaqësuesi i TDV-së, Abdylkadir Sylka (Abdülkadir Sülka) tha se gjatë muajit të Ramazanit do të zhvillojnë aktivitete të ndryshme në vendet e Ballkanit.

“Gjatë muajit të Ramazanit në Kosovë do të realizojmë shpërndarjen e librave të Kur‘anit, një aktivitet që kryhet nga Fondacioni i Kryesisë së Çështjeve Fetare të Turqisë (TDV) në kuadër të projektit ‘Kur‘ani le të jetë dhurata ime‘. Shpresojmë që në kuadër të këtij programi të realizohet shpërndarja e 1 mijë librave të Kur‘anit në Kosovë “.

Kurse Përfaqësuesi i DITIB-it, Jakup Ajdën (Yakup Aydın) nënvizoi se ndihmat kanë mundur t’i ofrojnë falë donacioneve të bamirësve.

Gjatë muajit të Ramazanit, 2 mijë pako ushqimore do t’u shpërndahen personave në nevojë në Prizren si dhe në komuna të tjera si: Prishtinë dhe Mamushë.

Kategoritë
LajmeVendi