Në Muğla të Turqisë sekuestrohet 1,5 ton drogë e ardhur nga Shqipëria

Në operacion është sekuestruar rreth 1,5 ton skank, janë arrestuar tre të dyshuar si dhe janë konfiskuar tri armë.

Në rrethin Dalaman të provincës Muğla të Turqisë është sekuestruar 1,5 ton skank të sjellë nga Shqipëria nëpërmjet detit, ndërsa janë arrestuar tre persona, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në njoftimin e bërë nga zyra e Guvernatorit të Izmirit thuhet se si rezultat i kërkimeve të inteligjencës të kryera në kuadër të parandalimit të trafikut dhe përdorimit të drogës dhe luftës kundër kriminelëve, është nisur një operacion mbi informacionin se një sasi e madhe droge do të sillej nga Shqipëria nga rruga detare.

Në kuadër të hetimit të kryer nga kryeprokuroritë republikane të Izmirit dhe Torbalı-së, pas ndjekjes teknike dhe fizike nga ekipet e Degës Kundër Kontrabandës dhe Krimit të Organizuar (KOM) të Komandës së Xhandarmërisë Provinciale të Izmirit, është kryer një operacion nën koordinimin e komandës së xhandarmërisë së provincës Muğla dhe komandës së rojës bregdetare.

Në operacion është sekuestruar rreth 1,5 ton skank, janë arrestuar tre të dyshuar si dhe janë konfiskuar tri armë.

Ndërkohë, sipas informacionit të marrë nga burimet e sigurisë, mësohet se të dyshuarit e kanë sjellë drogën me skaf, më pas e kanë nxjerrë në breg dhe e kanë fshehur në zonë pyjore.

Nga ana tjetër, ministri i Brendshëm i Turqisë, Süleyman Soylu, në një postim në rrjetet sociale ka përgëzuar personelin e xhandarmërisë dhe rojës bregdetare për operacionin.

Kategoritë
BotaLajme