Në selinë e NATO-s mbahet ceremoni përkujtimore në 20-vjetorin e sulmeve të 11 shtatorit

“20 vjet më parë ne qëndruam së bashku në solidaritet. Amerika e Veriut dhe Evropa duhet të vazhdojnë të qëndrojnë bashkë në NATO”, tha Stoltenberg

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, në përkujtimin e 20-vjetorit të sulmeve terroriste të 11 shtatorit në SHBA, tha se sot në një “botë më të rrezikshme” vendet evropiane dhe Amerika e Veriut duhet të vazhdojnë bashkëpunimin e tyre brenda NATO-s, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në selinë e NATO-s në kryeqytetin e Belgjikës, Bruksel, u mbajt ceremoni përkujtimore për 20-vjetorin e sulmeve të 11 shtatorit.

Stoltenberg mbajti një fjalim në ceremoninë përpara pjesës së çelikut të marrë nga kullat binjake në New York e cila ekspozohet në ndërtesën e selisë ku flamujt e vendeve të NATO-s janë ulur në gjysmë-shtizë. Duke rikujtuar se në sulmet terroriste 20 vite më parë humbën jetën 2.977 persona, Stoltenberg tha se me këtë rast përkujtojnë edhe ata që kanë humbur jetën në sulmet terroriste të kryera në Paris, Bagdad, Ankara dhe deri në Christchurch.

Ai rikujtoi se pas sulmeve vendet e NATO-s për herë të parë në histori vendosën në zbatim brenda 24 orëve nenin 5 të marrëveshjes së Aleancës i cili thekson se “një sulm i kryer ndaj një aleati do të konsiderohet si sulm ndaj të gjithë aleatëve”. Stoltenberg shtoi se pas sulmeve të organizuara nga Afganistani, NATO hyri në këtë vend dhe prej 20 vitesh nga ky vend nuk u zhvilluan më sulme ndaj vendeve të NATO-s.

“Duhet të mbrojmë arritjet e fituara në luftën kundër terrorizmit. Duhet të sigurojmë që ata të cilët kanë pushtetin në Afganistan, të përmbushin angazhimet e tyre lidhur me terrorizmin, të drejtat e grave, të drejtat e njeriut si dhe për daljen e sigurt nga vendi të afganëve nën rrezik. NATO vendi i vetëm ku Evropa dhe Amerika e Veriut mblidhen çdo ditë për sigurinë e përbashkët, do të vazhdojë të luajë rolin e saj për këtë”, tha kreu i NATO-s.

“Terrorizmi mund të përdorë ideologji dhe besime të ndryshme për t’u fshehur”, theksoi Stoltenberg duke shtuar se qëllimi përfundimtar i terroristëve është dhuna, urrejtja dhe intoleranca.

“20 vjet më parë ne qëndruam së bashku në solidaritet. Amerika e Veriut dhe Evropa duhet të vazhdojnë të qëndrojnë bashkë në NATO, teksa sot përballemi me një botë më të rrezikshme. Sepse pavarësisht çdo gjëje ne do të jemi më shumë të sigurt kur jemi bashkë”, potencoi Stoltenberg.

Kategoritë
BotaLajme