Në shenjë proteste, kryeministri izraelit nuk do ta takojë të dërguarin e posaçëm amerikan për Iranin

Raportohet se kryeministri izraelit Naftali Bennett kundërshton përpjekjet e SHBA-së për të ringjallur marrëveshjen bërthamore të vitit 2015 me Iranin.

Kryeministri izraelit Naftali Bennett nuk do të takohet me të dërguarin e posaçëm të SHBA-së për Iranin, Robert Malley, në shenjë proteste ndaj mundësisë që SHBA të rikthehet në marrëveshjen bërthamore me Teheranin, transmeton Anadolu Agency (AA).

Gazeta izraelite “Yedioth Ahronoth” shkruan se Bennett kundërshton përpjekjet e SHBA-së për të ringjallur marrëveshjen bërthamore të vitit 2015 me Iranin.

Si pjesë e udhëtimit të Malley-t në rajon, janë paraparë edhe vizita në Arabinë saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA) dhe Bahrain.

Në një deklaratë të Departamentit Amerikan të Shtetit thuhet se i dërguari i posaçëm “do të koordinojë qasjet tona rreth më shumë shqetësimeve në lidhje me Iranin, duke përfshirë aktivitetet e tij destabilizuese në rajon dhe bisedimet e ardhshme bërthamore”.

Është paraparë që Malley të takohet me ministrin izraelit të Mbrojtjes, Benny Gantz, dhe eventualisht edhe me ministrin e Jashtëm, Yair Lapid; kreun e agjencisë izraelite Mossad, David Barnea; si dhe këshilltarin e sigurisë kombëtare, Eyal Haluta.

Duke cituar burime izraelite, gazeta shkruan se Izraeli a frikë që Teherani mund të bindë administratën amerikane që të heq të gjitha sanksionet ekonomike ndaj Iranit, që Teherani zyrtar të ndalojë aktivitetet e pasurimit të uraniumit, pa u diskutuar çështjet tjera, duke përfshirë programin iranian të raketave balistike dhe praninë iraniane në Siri.

Marrëveshja bërthamore u nënshkrua në vitin 2015 nga Irani, SHBA, Kina, Rusia, Franca, Mbretëria e Bashkuar, Gjermania dhe BE-ja.

Sipas marrëveshjes, Teherani u përkushtua të limitojë aktivitetin bërthamor vetëm për qëllime civile, ndërsa fuqitë botërore u pajtuan që të heqin sanksionet e tyre ekonomike kundër Iranit.

Megjithatë, SHBA, nën udhëheqjen e ish-presidentit Donald Trump, në mënyrë të njëanshme u tërhoq nga marrëveshja në vitin 2018 dhe rivendosi sanksione ndaj Iranit, ndërsa më pas Teherani ndaloi së zbatuari marrëveshjen nukleare.

Kategoritë
BotaLajme