Në Shqipëri fillon viti i ri shkollor, hapen edhe shkollat e Fondacionit Turk Maarif

Në të gjithë vendin mësimi ka filluar në shkollat 9-vjeçare dhe të mesme sipas protokollit mbi masat kundër pandemisë së koronavirusit të ri (COVID-19).

Në Shqipëri ka filluar sot viti i ri shkollor 2021-2022 në institucionet arsimore të sistemit parauniversitar, përfshirë edhe në shkollat e Fondacionit Turk Maarif, raporton Anadolu Agency (AA).

Në të gjithë vendin mësimi ka filluar në shkollat 9-vjeçare dhe të mesme sipas protokollit mbi masat kundër pandemisë së koronavirusit të ri (COVID-19), duke përfshirë respektimin e distancës, mbajtjen e maskës dhe vaksinimin e mësuesve.

AA ka ndjekur nga afër fillimin e procesit mësimor në Shkollën 9-vjeçare “Jeronim De Rada”, Shkollën 9-vjeçare “Konferenca e Pezës” në Tiranë dhe në shkollat e Fondacionit Maarif, ku nxënësit janë paraqitur në shkollë duke zbatuar protokollin e masave kundër pandemisë.

Fondacioni Turk Maarif përveç Universitetit New York Tirana, administron edhe disa institucione arsimore në sistemin parauniversitar në Shqipëri, si gjimnazet “New York High School” dhe “IMSA High School Elbasan”, shkollën 9-vjeçare “New York Basic Education” dhe kopshtin “IMSA Farm-Kindergarten”.

Mesazhe urimi nga zyrtarët e lartë

Me rastin e fillimit të vitit të ri shkollor, zyrtarë të lartë të vendit kanë përcjellë mesazhet e tyre të urimit për mësuesit dhe nxënësit.

“Një vit të mbarë dhe me plot arritje të shkëlqyera në rrugën e dijes, veçanërisht për vogëlushët, të cilët ulen sot për herë të parë në bankat e shkollës. Urime të ngrohta dhe shumë suksese për të gjithë mësuesit dhe profesorët në misionin e tyre fisnik”, ka shkruar presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, në rrjetet sociale.

Edhe kryeministri Edi Rama ka uruar nxënësit me një mesazh të publikuar në rrjetet sociale. “Dhe me zilen e parë që bie për disa nga shkollat e reja të rindërtuara pas tërmetit, uroj përzemërsisht çdo nxënës që nis sot vitin e ri shkollor, shumë suksese e mbarësi në këtë rrugëtim të bukur dijeje për të ardhmen”, ka shkruar Rama.

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi, ka uruar nxënësit nëpërmjet një video-mesazhi. Ajo ka theksuar ndër të tjera se në të gjitha shkollat janë marrë masat që ky vit shkollor të jetë sa më i mbarë dhe u ka bërë thirrje nxënësve që të tregojnë kujdes maksimal ndaj masave kundër pandemisë.

Kategoritë
LajmeRajoni