Në sulmin me raketa të grupit terrorist YPG/PKK vriten 3 civilë në Afrin të Sirisë

Në një deklaratë, Zyra e Guvernatorit në krahinën Hatay të Turqisë, tha se terroristët lëshuan 13 raketa nga rrethi Tal Rifat i Sirisë duke shënjestruar qendrën e qytetit Afrin

Të paktën tre civilë u vranë, përfshirë një fëmijë, dhe katër të tjerë u plagosën në provincën Afrin të Sirisë në një sulm me raketa të grupit terrorist YPG/PKK, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një deklaratë, Zyra e Guvernatorit në krahinën Hatay të Turqisë, tha se terroristët lëshuan 13 raketa nga rrethi Tal Rifat i Sirisë duke shënjestruar qendrën e qytetit Afrin.

Në deklaratë thuhet se të plagosurit u dërguan në spitalet e afërta, ndërsa autoritetet lokale kanë nisur një hetim mbi sulmin.

Grupi terrorist YPG/PKK shpesh sulmon qytetet Jarabulus, Afrin dhe Azaz nga zonat Munbixh dhe Tal Rifat të Sirisë.

Qyteti Afrin në pjesë të madhe u pastrua nga terroristët e YPG/PKK-së në vitin 2018 në operacionin antiterrorist “Dega e Ullirit” të Turqisë, por grupi terrorist ende shënjestron rajonin për të prishur paqen e vendosur nga forcat turke.

Që nga viti 2016, Turqia nisi disa operacione të suksesshme antiterroriste përgjatë kufirit me Sirinë, ndërsa synimi ishte parandalimi i formimit të korridorit terrorist me qëllim të mundësimit të mjedisit të sigurt për kthimin e banorëve. Bëhet fjalë për operacionet “Mburoja e Eufratit” (2016), “Dega e Ullirit” (2018) dhe “Burimi i Paqes” (2019).

Gjatë fushatës terroriste mbi 30-vjeçare kundër Turqisë, PKK, e cila është shpallur organizatë terroriste në Turqi, SHBA dhe BE, është përgjegjëse për vdekjen e rreth 40 mijë personave, në mesin e të cilëve gra, fëmijë dhe foshnja. YPG është degë siriane e PKK-së.

Kategoritë
BotaLajme