Në vitin 2017 dy komuna më pak shkuan në balotazh sesa në vitin 2021

21 komuna do të shkojnë në balotazh në zgjedhjet lokale të vitit 2021.

Prishtina, Prizreni, Gjakova, Gjilani, Istogu, Fushë Kosova, Podujeva, Juniku, Malisheva, Drenasi, Vushtrria, Klina, Kamenica, Shtime, Rahovec, Kaçanik, Dragash, Vitia, Obiliqi, Kllokoti dhe Parteshi, janë komunat ku çështja e fituesit do të diskutohet në raundin e dytë të zgjedhjeve që do të mbahen më 14 nëntor.

Në Prishtinë, në ballotazh do të takohen kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje Arben Vitia dhe ai i Lidhjes Demokratike të Kosovës Përparim Rama.

Garë interesante do të ketë edhe në Prizren mes kryetarit aktual që vie nga Lëvizja Vetëvendosje Mytaher Haskuka dhe atij nga Partia Demokratike e Kosovës Shaqir Totaj.

Përballje mes tyre do të ketë edhe Ardian Gjini, i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës që mban postin e kryetarit të Gjakovës dhe kandidatës nga Lëvizja Vetëvendosje Mimoza Kusari Lila.

Në Gjilan, punë mes vete në raundin e dytë do të kenë Alban Hyseni nga Lëvizja Vetëvendosje dhe Lutfi Haziri nga Lidhja Demokratike e Kosovës i cili është kryetar aktual.

Interesant do të jetë po ashtu në Istog. Ilir Ferati nga Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Bekë Berisha nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës do të garojnë në raundin e dytë atje.

Punë në balotazh do të ketë edhe kryetari aktual i Fushë Kosovës Burim Berisha, i cili përpak nuk arriti ta përfundojë çështjen e fituesit.

Të njëjtin fat do ta ketë edhe Podujeva që kryetari i saj do të zgjidhet në raundin e dytë pasi të merret vesh se kush i ka marrë votat e nevojshme, Ekrem Hyseni nga Lidhja Demokratike e Kosovës apo Shpejtim Bulliqi, nga Lëvizja Vetëvendosje.

Balotazh do të ketë edhe në Junik mes kryetarit aktual Agron Kuçit, nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe kandidatit nga Lidhja Demokratike e Kosovës Ruzhdi Shehu.

Raund të dytë do të ketë edhe në Malishevë ku do të garojnë kandidati i NISMA-s Socialdemokrate Ekrem Kastrati dhe ai i Partisë Demokratike të Kosovës Isni Kilaj.

Edhe Drenasi do të ketë balotazh. Përball njëri tjetrit do të jenë kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës njëherësh kryetar aktual i kësaj komune Ramiz Lladrovci, dhe Driton Ajazaj nga Demokratët për Drenasit.

Në Vushtrri do të garojnë Ferit Idrizi nga Partia Demokratike e Kosovës, që ka marrë 10 mijë e 57 vota apo 34.89 përqind kurse kryetari aktual i komunës Xhafer Tahiri, nga Lidhja Demokratike e Kosovës i ka 9 mijë e 735 vota apo 33.77 përqind.

Në Klinë, kryetari aktual i cili vie nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Zenun Elezaj, përball do të ketë Esad Racin nga Partia Demokratike e Kosovës.

Qëndron Kastrati, i cili mban pozitën e kryetarit të Kamenicës do të ketë punë në raundin e dytë Kadri Rahimajn e Vetëvendosjes.

Qytetarët do të duhet të dalin në zgjedhje për herë të dytë edhe në Shtime për të zgjedhur kryetarin e tyre.

Ballotazh do të ketë edhe në shtatë komuna tjera si: Rahovec, Kaçanik, Dragash, Viti, Obiliq, Kllokot dhe Partesh.

Më 2017 dy komuna më pak në ballotazh se në vitin 2021:

19 komuna shkuan në balotazh në zgjedhjet lokale të vitit 2017.

Gjakova, Gjilani, Dragashi, Istogu, Kaçaniku,  Klina, Kamenica, Mitrovica, Obiliqi, .Rahoveci, Podujeva, .Prishtina, Prizren, Shtime, Suhareka, Ferizaj, Vushtrri, Malisheva, Kllokot, ishin komunat ku çështja e fituesit nuk u mbyll me të parën.

Në Gjakovë, ballotazh pati mes kandidatit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Ardian Gjini, i cili është kryetar aktualisht dhe kandidatës e cila asokohe garonte për Alternativën Mimoza Kusari Lila.

Në Gjilan, kryetari aktual i Gjilanit Lutfi Haziri, nga Lidhja Demokratike e Kosovës pati punë në ballotazh me Sami Kurteshin e Vetëvendosjes.

Po ashtu balotazh para katër vjetësh pati edhe në Dragash, mes kryetarit të tanishëm i cili vjen nga radhët e Partisë Demokratike Shaban Shabani, dhe kandidatit të Lidhjes Demokratike të Kosovës Selim Kryeziu.

Në raundin e parë nuk përfundoi dilema e fituesit as në Istog. Haki Rugova, nga Lidhja Demokratike e Kosovës pati punë me kandidatin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Gani Dreshaj. Këtu Rugova fitoi për pak vota pozitën e kryetarit.

Garë interesante u zhvillua edhe në Kaçanik aty kryetari aktual Besim Ilazi, nga Partia Demokratike në raundin e dytë e mundi kandidatin nga Vetëvendosje Basri Kodra.

Çështja e fituesit në raundin e dytë u diskutua mes Sokol Bashotës, nga Partia Demokratike e Kosovës dhe Zenun Elezajt, nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, ku fitues doli ky i dyti.

Edhe në Kamenicë u desh të shkohet në balotazh, mes kryetarit aktual  Qendron Kastrati, i cili në atë kohë garonte për Lëvizjen Vetëvendosje si dhe Shaip Surdullit nga Lidhja Demokratike e Kosovës, fitues doli Kastrati

Në Mitrovicë, garë në raundin e dytë pati mes Valdete Idrizit, nga Partia Demokratike e Kosovës dhe Agim Bahtiri, i cili asokohe garonte për Aleancën Kosova e Re.

Bahtiri arriti të triumfonte në raundin e dytë.

Në Obiliq në balotazh u takuan Xhafer Gashi, i cili në atë kohë garonte për Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës dhe Mehmet Krasniqi, nga Lidhja Demokratike e Kosovës.

Fitoren në raundin e dyte e siguroi Gashi.

Rahoveci vuri përball Smajl Latifin e AAK-së i cili është kryetar aktual dhe Idriz Vehapin e PDK-së.

Në Podujevë u përballen Agim Veliu nga LDK dhe Ajet Potera nga Vetëvendosje.

Në raundin e dytë fitues doli Veliu.

Garë mjaft interesante pati në kryeqytet mes Shpend Ahmeti, që garonte për Vetëvendosje dhe Arban Abrashin e Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Ahmeti arriti të triumfonte në këtë raund për qindra vota.

Me të parën çështja e fituesit nuk u mbyll as në Prizren. Në raundin e dytë u takuan Mytaher Haskuka, nga Vetëvendosje dhe Shaqir Totaj, nga Partia Demokratike.

Fitues i garës doli Haskuka.

As në Shtime kryetari nuk u zgjodh me të parën.

Naim Ismajli, nga Partia Demokratike e Kosovës dhe Fatmir Rashiti, nga Iniciativa Qytetare, u përballen në ballotazh.

Në raundin e dytë fitoi Ismajli, nga Partia Demokratike.

Në Suharekë, në balotazh garuan Bali Muharremaj, nga AAK dhe Sali Asllanaj nga LDK.

Këtu arriti të fitoi Muharremaj.

Garë e fortë u bë edhe në Ferizaj mes Muharrem Svarqës së Lidhjes Demokratike dhe Agim Aliut nga Partia Demokratike.

Balotazhi nxori fitues Aliun e PDK-së.

E përballje mes PDK-së dhe LDK-së pati edhe në Vushtrri.

Mes Ferit Idrizit dhe Xhafer Tahiri, qytetarët para katër vjetësh zgjodhën Tahirin e LDK-së.

Ndërkaq fitues në raundin e dytë në Malishevë doli Ragip Begaj i Nisma-s Socialdemokrate.

Kategoritë
LajmeVendi