Nënshkruhet marrëveshje për regjim pa viza mes Maqedonisë së Veriut dhe Gjeorgjisë

Presidentja e Gjeorgjisë, Zourabichvili, u mirëprit nga presidenti i Maqedonisë së Veriut, Pendarovski, me nderimet më të larta shtetërore dhe ushtarake

Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, u takua sot me presidenten e Gjeorgjisë, Salome Zourabichvili, e cila qëndron për vizitë zyrtare dyditore në vend, raporton Anadolu Agency (AA).

Presidentja e Gjeorgjisë, u mirëprit nga presidenti i Maqedonisë së Veriut, me nderimet më të larta shtetërore dhe ushtarake.

Pas takimit kokë më kokë të presidentit Pendarovski me presidenten Zourabichvili, u mbajt një takim plenar i delegacioneve të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Gjeorgjisë.

Pas takimeve, Pendarovski dhe Zourabichvili nënshkruan marrëveshje për regjim pa viza.

Presidenti Pendarovski, duke theksuar se vizita e presidentes së Gjeorgjisë është e para dhe historike në nivelin më të lartë, kujtoi se vizita bëhet shumë pak kohë pas vendosjes së marrëdhënieve diplomatike më 16 shkurt të vitit 2019.

“Simbolikisht, ne jemi të lidhur nga një jubile shumë i rëndësishëm. Këtë vit, edhe Maqedonia e Veriut edhe Gjeorgjia festojnë 30-vjetorin e pavarësisë”, theksoi Pendarovski.

Duke theksuar se Maqedonia e Veriut dhe Gjeorgjia kanë trashëgimi historike jashtëzakonisht të pasur natyrore dhe kulturore, Pendarovski tha se sot u nënshkrua marrëveshja midis dy vendeve për heqjen e vizave dhe një memorandum bashkëpunimi në fushën e kulturës.

Ndër të tjera, Pendarovski inkurajoi biznesmenë nga të dy vendet për të vendosur kontakte dhe për të punuar në partneritet afarist me dobi të ndërsjellë.

Presidentja e Gjeorgjisë, Zourabichvili, theksoi se bota po lufton me një armik të padukshëm për më shumë se një vit, duke thënë se pandemia COVID-19 ka ndalur praktikisht marrëdhëniet ndërkombëtare dhe se kriza ka goditur rëndë vendet e vogla.

Zourabichvili, duke deklaruar se anëtarësimi i Maqedonisë së Veriut në NATO është një sinjal shumë i fortë se dera e Aleancës është me të vërtetë e hapur dhe se nuk është vetëm çështje fjalësh, por realiteti, theksoi:

“Gjeorgjinë dhe Maqedoninë e Veriut i bashkojnë shumë gjëra të përbashkëta. Integrimi në BE dhe NATO është rruga që e zgjodhëm edhe ju, edhe ne në Gjeorgji. Që të arrihet sukses në këtë rrugë, e rëndësishme është mbështetja e partnerëve tanë. Sidomos e atyre vendeve që tashmë e kanë kaluar këtë rrugë”, tha Zourabichvili.

Duke u përqendruar në marrëveshjen e nënshkruar për regjim pa viza, Zourabichvili tha se marrëveshja do ta forcojë shkëmbimin e të gjithë vizitorëve dhe do t’i rrisë marrëdhëniet në turizëm, ekonomi dhe në sferat tjera të rëndësishme.

Presidentja e Gjeorgjisë do të ketë takim edhe me kryetarin e Kuvendit, Talat Xhaferi, zëvendëskryeministrin Artan Grubi, ndërsa po ashtu do të vendosë kurorë me lule në varrin e Goce Dellçevit.​​​​​​​

Kategoritë
LajmeRajoni