Nëntë ditë para Konventës, asnjë kandidaturë zyrtare për kryetar të PDK-së

Partia Demokratike e Kosovës do të zgjedh kryetarin e ri në Konventën e 3 korrikut.

Mirëpo, pak ditë para mbajtjes së kësaj konventë asnjë kandidaturë zyrtare nuk ka.

Betim Gjoshi, Udhëheqës i Departamentit për Çështje Elektorale në PDK, ka thënë se deri më tani nuk ka asnjë kandidaturë zyrtare.

Ai ka thënë se po punohet në përgatitje sa më të mirë të konventës dhe së gara është e hapur.

“Secili kandidat mund ta dorëzoj kandidaturën deri më 1 korrik. Kandidatit potencial i duhet një mbështetje rreth 50 delegatë të konventës. Nuk ka kandidaturë zyrtare, por mirëpresim kandidaturat eventuale”, ka thënë Gjoshi për “Indeksonline”.

Më tutje, ai ka bërë me dije se pak ditë para konventës do të mbahet edhe një takim me të gjithë  kandidatët e mundshëm për t’ua lehtësuar siç thotë ai proceduarat rreth kandidimit.

Në opinionin publik janë së paku tre emrat që po vlerësohen si favorit për të marrë drejtimin e partisë më të madhe opozitare në vend.

Enver Hoxhaj, Memli Krasniqi dhe Vlora Çitaku deri më tash as nuk e kanë pohuar dhe as mohuar mundësinë për të qenë kandidat për kryetar të PDK-së.

PDK pas dorëheqjes së Kadri Veselit deri tash ka funksionuar me ushtrues detyre të kryetarit./Indeksonline/

Kategoritë
LajmeVendi