Nesër Asambleja e Përgjithshme e OKB-së voton përjashtimin e Rusisë

Të enjten në 7 prill, Asambleja e Përgjithshme e OKB-së do të votojë për përjashtimin e Rusisë nga Këshilli i OKB-së për të Drejtat e Njeriut, sa i përket masakrës në Buça.

Një shumicë prej dy të tretave të votave nga asambleja prej 193 anëtarësh në Nju Jork mund të pezullojë një shtet për kryerjen e vazhdueshme të shkeljeve të rënda të të drejtave të njeriut.

Kievi tha se do të sjellë përpara anëtarëve të OKB-së prova të mjaftueshme mbi krimet e Rusisë në Ukrainë.

Të parat që e kanë kërkuar pezullimin e Rusisë kanë qenë Shtetet e Bashkuara dhe Britania e Madhe, menjëherë pasi u publikuan fotot e civilëve të vrarë në Buça.

Që nga 24 shkurti, Asambleja e OKB-së ka miratuar dy rezoluta që denoncojnë Rusinë me 140 vota pro.

Të mërkurën, 6 prill, Ministria e Jashtme kineze e cila do të duhet të votojë ose të abstenojë të enjten për pezullimin e Rusisë nga OKB-ja thotë se duhen prova të mjaftueshme për të komentuar ngjarjet në Buça.

Sinkron: Akuzat mes Moskës dhe Kievit duhet të bazohen në fakte. Ekziston nevoja për të qenë të vetëpërmbajtur derisa të kryhen hetimet. Pekini po ndërmerr hapa realë për të mbështetur përpjekjet e Ukrainës për të hapur korridoret humanitare.

Ministria e Mbrojtjes e Rusisë ka hedhur poshtë pretendimet e Kievit për ngjarjet në Buça, duke theksuar se trupat ruse u larguan nga qyteti më 30 mars, ndërsa masakra e Buças u bë katër ditë më vonë.

Kategoritë
BotaLajme