Nesër shorti për raundin “play-off” në Kupën e Botës “Katar 2022”

Në vazon e parë, ku gjenden edhe kundërshtarët e mundshëm të Maqedonisë së Veriut dhe Turqisë janë: Italia, Portugalia, Skocia, Rusia, Suedia dhe Uellsi

Nesër do të hidhet shorti për raundin “play-off” në kuadër të kualifikimeve evropiane për Kupën Botërore FIFA 2022, ku do të caktohen rivalët e Maqedonisë së Veriut dhe Turqisë, transmeton Anadolu Agency (AA).

Shorti do të hidhet në qendrën e FIFA-s në qytetin e Zvicrës, Cyrih në orën 17:00.

Në fazën “play-off” do të marrin pjesë 10 kombëtare të cilat kanë arritur vendin e dytë në grupet e tyre në eliminatoret si dhe 2 ekipe nga Liga e Kombeve.

Në vazon e parë, ku gjenden edhe kundërshtarët e mundshëm të Maqedonisë së Veriut dhe Turqisë janë: Italia, Portugalia, Skocia, Rusia, Suedia dhe Uellsi.

Ndërsa në vazon e dytë përveç Maqedonisë së Veriut dhe Turqisë gjenden edhe Polonia, Ukraina, Çekia dhe Austria.

Ndeshjet e “play-off”-it do të luhen me nga një gjysmë finale dhe finale. Në gjysmë finale ekipet në vazon e parë do ta kenë edhe avantazhin e të qenit pritës në fushën e tyre. Ndërsa 3 prej 6 kombëtareve që do të mbeten në finale, do të jenë kombëtaret e fundit që do të shkojnë në “Katar 2022” nga Evropa.

Gjysmëfinalet në këtë fazë do të zhvillohen më 24 mars ndërsa finalet më 29 mars.

Kategoritë
LajmeSport