Neymar me dokumentar në Netflix: Në jetën time ka patur shumë kaos

Përpara lançimit të një dokumentari të Netflix për jetën e tij, Neymar ka treguar se si seriali me tre pjesë do të japë një pasqyrë të tij dhe jetës së tij.

Sulmuesi i Paris Saint-Germain insistoi se perceptimi publik për të mund të ndryshojë me daljen e këtij dokumentari.

“Ata që më njohin e dinë se kush jam dhe kjo është ajo që ka rëndësi për mua”, tha Neymar për ‘ESPN’.

“Sa i përket atyre që nuk më njohin dhe thjesht flasin keq për mua, unë thjesht i lë mënjanë, por shpresoj që ata të mund ta shikojnë këtë dokumentar dhe shpresoj se mund të ndryshojë idenë e tyre ose imazhin që kanë për mua.

“Shpresoj që ata të mësojnë të më pëlqejnë… qoftë edhe pak!

“Pak njerëz më njohin se si unë jam. Vetëm miqtë e mi më të ngushtë, familja ime, disa shokë skuadre dhe tani ndihem se mund të tregoj pak më shumë nga jeta ime, se si jam në ditën time, në punë, në shtëpi, si unë jam si baba, bir, vëlla, shpresoj që ky dokumentar t’ua tregojë njerëzve këtë anë.

“Është ajo për të cilën kemi punuar, ne po tregojmë të vërtetën, 100 për qind, dhe kjo është ajo që ka më shumë rëndësi”.

Seriali është titulluar ‘The Perfect Chaos’, duke pasqyruar historinë dramatike pas brazilianit.

“Është quajtur kështu sepse jeta ime ka qenë gjithmonë e tillë”, shpjegoi Neymar.

“Që në moshën 6-muajshe, u aksidentova me prindërit e mi dhe atëherë filloi kaosi. Ne u shëruam më pas dhe asgjë nuk më ndodhi.

“Pastaj, pasi u bëra futbollist. Sigurisht që kam pasur momente shumë të lumtura, por kam pasur ende shumë kaos në jetën time”.

Neymar nuk i ka fshehur kurrë vështirësitë e tij me vëmendjen që ka pasur, si në Brazil ashtu edhe në Evropë.

“Duhet ta kesh kokën drejt, që të mos biesh apo të shkërmohesh”, tha ai.

“Familja dhe miqtë janë të rëndësishëm, por edhe shokët e skuadrës janë gjithashtu. Ata janë gjithmonë pas meje, në mënyrë që kur kam një ditë të trishtuar të mund të ndihmojnë me një fjalë ose një përqafim për të më bërë të ndihem më mirë.

“Por, mendoj se tani jam i fortë. Unë jam një burrë i fortë, jo vetëm fizikisht, por edhe në kokën time, sepse më duhet të përballem me kaq shumë presion, për shkak të asaj që jam, për shkak të vendit ku luaj.

“Por, unë kam një kokë të fortë tani dhe më është dashur të punoj shumë për ta arritur atë në atë mënyrë dhe mendoj se kjo është gjëja tjetër me të vërtetë e mirë për mua, se jo vetëm që mund të luaj futboll, por jam fokusuar në shëndetin tim mendor”.

Neymar aktualisht është jashtë fushës për shkak të lëndimit, por synon një rikthim në lojë në kohë për t’u përballur me Real Madridin në Ligën e Kampionëve.

Kategoritë
Sport