Ngjarja tragjike në Fushë-Kosovë/ Motra dyshohet se mbyti motrën duke e ngufatur me jastëk

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur ditën e sotme në fshatin Vranidoll të Komunës së Fushë-Kosovës.

Një 33 vjeçare raportohet të ketë humbur jetën duke u sulmuar në mënyrë të dhunshme.

Por jo vetëm kaq. 33 vjeçarja dyshohet se u mbyt pikërisht nga motra e saj.

Burime të lajmi.net bëjnë të ditur se 33 vjeçarja u mbyt përmes ngufatjes me jastëk të cilën ia bëri motra e saj.

Përpos kësaj theksohet se viktima dhe e dyshuara në këtë rast kishin probleme mentale.

Duhet përkujtuar që nga Policia e Kosovës kanë konfirmuar rastin e vdekjes së femrës në fjalë, por nuk kanë dhënë detaje shtesë lidhur me rastin.

Nga Zyra për Informim e Policisë së Kosovës u tha se me rastin po merren njësitë kompetente të cilët do të hetojnë çdo detaj që ka të bëjë me rastin.

“Mbështetur në të dhënat fillestare të këqyrjes së vendit të ngjarjes përkundër që ka elemente që sugjerojnë për një vdekje të dhunshme, policia me kujdes të shtuar po heton rastin si vdekje të dyshimtë dhe po ndërmerr të gjitha veprimet e duhura hetimore dhe ato forenzike – të ekzaminimit që do të ndihmonin hetimin e ngjarjes si dhe sqarimin dhe ndriçimin e plotë të rastit”, u tha zëdhënësi i policisë për rajonin e Prishtinës, Agron Borovci.

Në vendin e ngjarjes vazhdojnë të jenë ekipet emergjente si dhe njësitë e Forenzikës nga Policia e Kosovës të cilët edhe po merren me rastin në fjalë./Lajmi.net/

Kategoritë
LajmeVendi