Nis java e vaksinimit masiv në universitete, Manastirliu apel studentëve: Mbroni veten dhe të tjerët

Nga sot, ka nisur java e vaksinimit masiv në universitetet publike dhe private. Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, u ka bërë apel të gjithë studentëve që ende nuk janë vaksinuar, për të shfrytëzuar këtë javë të vaksinimit pranë fakulteteve, për të mbrojtur veten, por edhe si një detyrim moral e përgjegjësi qytetare për mbrojtjen e shëndetit të gjithsecilit.

“Një ftesë për çdo student që ende nuk është vaksinuar, të shfrytëzojë këtë javë të vaksinimit të studentëve pranë fakulteteve, për të mbrojtur veten, por edhe si një detyrim moral e përgjegjësi qytetare për mbrojtjen e shëndetit të gjithsecilit. JetaJoteVLEN, #VAKSINOHU”, shkruan ministrja në Facebook.

Për një javë, vaksinatorët do të vendosen pranë shkollave të larta për të vaksinuar studentët që nuk kanë marrë dozat anti-Covid. Ditën e sotme ekipet e vaksinatorëve janë të vendosur në Fakultetin e Stomatologjisë, Universitetin e Sporteve dhe atë të Arteve në Tiranë, në Godinën e Rektoratit dhe te Fakulteti i Shkencave të Natyrës në Shkodër, te Godina e Rektoratit dhe te Fakulteti i Shkencave Humane në Vlorë, në hollin e Universitetit “Eqerem Çabej” në Gjirokastër, pika pranë Universitetit “Aleksandër Moisiu” në Durrës, Fakulteti i Mjekësisë dhe Infermierisë në Korçë, Korpusi kryesor i Universitetit dhe Fakulteti i Shkencave Teknike Mjekësore në Elbasan. Vaksinimi i studentëve pranë fakulteteve, do të vijojë gjatë gjithë javës në të gjitha qytetet universitare në vend, sipas një kalendari tashmë të përcaktuar.

Ata që do të vijojnë të refuzojnë, do të hyjnë në auditorë, vetëm pasi të dorëzojnë çdo javë përgjigjen e tamponit për Covid.

Kategoritë
LajmeVendi