Një apel dramatik nga Mariupoli: Erdogan, na shpëto!

Drama e luftëtarëve të mbetur të Mariupolit, të cilët janë në bastionin e tyre të fundit në fabrikën e braktisur të çelikut në këtë qytet, vazhdon prej ditësh.

Ata pengohen të largohen prej aty sepse janë të rrethuar dhe me kalimin e ditëve situata bëhet gjithnjë e më e vështirë dhe e tensionuar.

Komandanti i Brigadës së 36-të të Marinës të Ukrainës, Serhiy Volina, i cili ndodhet në fabrikë, i është drejtuar presidentit turk Rexhep Tajip Erdogan për ndihmë.

Videoja e apelit dramatik është publikuar nga televizioni turk Haberturk.

“I nderuari President Erdogan! Majori i Korpusit të Marinës Serhiy Volina po ju drejtohet. Unë jam me anëtarët e Brigadës së 36-të Detare, e cila ndodhet në garnizonin në Mariupol dhe po lufton në zonë për 65 ditë,” tha Volina në një fjalim të drejtpërdrejtë drejtuar presidenti turk.

Komandanti i Marinsave pretendon se më shumë se 600 ushtarë dhe civilë janë rrethuar.

“Kemi 600 ushtarë që kanë plagë të shkallëve të ndryshme dhe që kanë nevojë për ndihmë. Kemi dhe civilë të plagosur, të cilët dhe ata kanë nevojë edhe për ndihmën tuaj. Qindra civilë dhe dhjetëra fëmijë janë me ne në objekt. Më i vogli është katër muajsh”, shtoi ai.

Volina i kërkoi ndihmë presidentit turk.

“Tani po i kërkoj popullit turk, i nderuar zoti President, të zbatojë procedurën e evakuimit ndaj nesh, të bëjë gjithçka për të çuar garnizonin e Mariupolit në Turqi dhe praktikisht të na nxjerrë nga Azovstali me garanci sigurie nga pala turke. Ne jemi duke llogaritur në ndihmën tuaj”, tha komandanti i Marinës. /tesheshi.com/

Kategoritë
BotaLajme