Një gjyqtar shqiptar emërohet anëtar i Gjykatës Kushtetuese të Bosnjës

Gjyqtari Ledi Bianku u emërua në Gjykatën Kushtetuese të Bosnjë-Hercegovinës nga Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Emërimi i Biankut erdhi pasi dështuan përpjekjet për konsensus të tre anëtarëve të Presidencës së Bosnjës.

Presidenca iu drejtua me një letër Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut ku thuhej se për shkak të bllokadës nga anëtari i etnitetit serb, është e pamundur të bëhen konsultimet në lidhje me emërimin e një gjyqtari.

Ligji në Bosnje i jep institucioneve ndërkombëtare fuqi veprimi në rastet kur përfaqësuesit e tri komuniteteve kryesore boshnjak, serb e kroat nuk arrijnë në konsensus.

Gjykata Kushtetuese e Bosnjës njoftoi të martën se kryetari i Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, Robert Span, emëroi Ledi Biankun si gjyqtar të ri ndërkombëtar.

Anëtari serb i presidencës së Bosnjes, Milorad Dodik tha se emërimi i një shqiptari në Gjykatë Kushtetuese është produkt i lobimit nga ana e myslimanëve nga Sarajeva dhe se Republika Sërpska nuk ka arsye të besojë në objektivitetin e tij.

Ledi Bianku ishte gjyqtar i Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe profesor i asociuar në Universitetin e Strasburgut në Francë.

Më parë ai ka punuar si anëtar i Komisionit të Venecias.

Bianku shërbeu si këshilltar i Presidentit të Republikës në periudhën 2000-2007.

Më 2006, parlamenti i Shqipërisë e zgjodhi atë president të Këshillit Kombëtar të Radiotelevizionit të Shqipërisë.

Kategoritë
LajmeRajoni