Në përvjetorin e vdekjes së Josip Broz Titos, i cili vdiq më 4 maj 1980, policia kroate ka pranuar një denoncim për një burrë të panjohur i cili ka kërcënuar se do t’ia rrënojë shtëpinë dikur presidentit të Jugosllavisë në Kumrovec.
Një telefonatë anonime është marrë në orën 10 në Qendrën e Operacioneve dhe Komunikimit. Kërcënimi është bërë nga një njeri që “nuk ka thënë shumë”, por vetëm ka thënë se do ta shkatërrojë vendlindjen e Titos dhe më pas e ka mbyllur telefonin, shkruajnë mediat kroate.
Policia nuk gjeti asnjë mjet shpërthyes pasi kontrolloi shtëpinë e vendosur në muzeun e hapur në fshatin e vjetër të Kumrovecit, përcjell Gazeta Express.
Portali kroat “Ni zagorje” thekson se kërcënime të tilla janë të zakonshme me afrimin e përvjetorit të vdekjes së Titos. Policia megjithatë ka ngritur vëzhgimin dhe po e heton kërcënimin anonim.
Në ora 15.05 tradicionalisht do të vendosen lule dhe qirinj në monumentin e Presidentit të Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë.