Një muaj paraburgim për personin që shkaktoi aksidentin ku humbën jetën 4 anëtarë të familjes Ramadani

Është caktuar ​një muaj paraburgim për personin që shkaktoi aksidentin ku humben jetën 4 anëtarë të familjes Ramadani

Gjykata Themelore në Ferizaj ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Ferizajt, për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit E.M, i cili shkaktoi aksidentin në rrugën magjistrale Ferizaj – Shtime, përkatësisht në fshatin Koshare, duke drejtuar automjetin e markës “Audi A8”.

Në këtë aksident humben jetën 4 anëtarë të familjes Ramadani, ndërsa u lënduan edhe 4 persona të tjerë.

Ky është njoftimi i plotë i Gjykatës:

Gjykata Themelore në Ferizaj, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Ferizajt, për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit E.M. shtetas i Republikës së Kosovës, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale rrezikimi i trafikut publik nga neni 370 paragrafi 9 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

Pas mbajtjes së seancës dëgjimore dhe analizimit të shkresave të lëndës, gjyqtari i procedurës paraprake i Divizionit Penal – Adem Shabani, ka vërtetuar faktin se i pandehuri dyshohet se më 6 qershor 2021, në rrugën magjistrale Ferizaj – Shtime, përkatësisht në fshatin Koshare, duke drejtuar automjetin e markës “Audi A8”, nga pakujdesia, ka vepruar në kundërshtim me ligjin për rregullat e trafikut rrugor, duke mos ia përshtatur shpejtësinë e lëvizjes kushteve të rrugës në vendbanim, dhe duke mos i respektuar rregullat e komunikacionit, tejkalon në vijë të plotë dhe kalon në shiritin e majtë rrugor, dhe me pjesën e përparme të automjetit e godet automjetin e markës “Golf II”, në pjesën e përparme të anës së majtë e cila ishte duke lëvizur nga drejtimi i kundërt Shtime-Ferizaj, ku në këtë aksident pësojnë lëndime me pasoja vdekje drejtuesi i automjetit “Golf II” N.R., dhe tre pasagjerët e tjerë, tani të ndjerët Xh.R., S.R., dhe djali i tij i mitur, lëndime të rënda trupore pëson pasagjerja I.R., e cila është dërguar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) për tretman të mëtejmë, si dhe drejtuesi i automjetit Audi A8 dhe dy pasagjeret e tij, L.H dge Y.H.

Gjyqtari i procedurës paraprake, kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit, e ka aprovuar si të bazuar dhe të njëjtit i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaji.

Gjykata po ashtu me rastin e caktimit të masës së paraburgimit ka vlerësuar se për këtë vepër penale hetimet nuk kanë përfunduar, dhe ende nuk janë dëgjuar para prokurorit të shtetit as dëshmitarët tjerë të mundshëm, dhe e dëmtuara e cila është në gjendje të rëndë dhe gjendet për tretman mjekësor në QKUK, andaj mbi këto arsye gjykata vlerëson se po të gjendet në liri mund të ndikoj tek të njëjtit në mënyrë që të deklarohen në favor të mbrojtjes, andaj edhe mund të vije deri te rrethanat me të cilat do ta pengonin zbatimin e suksesshëm të procedurës penale duke ndikuar në dëshmitarë veçanërisht në të dëmtuarën e mitur.

Me këtë rast palët njoftohen se ankesa kundër këtij aktvendimi nuk e shtynë ekzekutimin e tij.

Kategoritë
LajmeVendi