Një mysliman emërohet “ambasador i lirive fetare” për herë të parë në SHBA

Senati i Shteteve të Bashkuara të Amerikës miratoi me një vendim historik që Rashad Hussain, një shtetas amerikan i besimit mysliman, të shërbejë si Ambasador i Lartë për Liritë Fetare Ndërkombëtare.

Rashad Hussain, i cili u emërua nga Presidenti Joe Biden në korrik, fitoi miratimin e Senatit me një votim që prodhoi 85 vota “pro” dhe 5 “kundër” të enjten. Kështu, Hussain bëhet myslimani i parë amerikan që mban këtë post.

Lindur në SHBA nga një familje myslimane me origjinë indiane, Hussain ka studiuar shkenca politike, arabisht dhe shkenca islame derisa u nderua me titullin “profesor” nga Universiteti “Yale”.

Dy postet e tij të mëparshme ishin ato të drejtorit të Partneriteteve dhe Komunikimeve Globale në Këshillin e Sigurisë Kombëtare të SHBA-së dhe përgjegjës në Divizionin e Sigurisë Kombëtare të Departamentit të Drejtësisë.

Ai ka shërbyer po ashtu si i dërguar i posaçëm i SHBA-së në Organizatën e Bashkëpunimit Islam, i dërguar i posaçëm për Komunikimet Strategjike kundër Terrorizmit dhe ndimëskëshilltar i Shtëpisë së Bardhë gjatë administratës së ish-presidentit Barack Obama.

Këshilli për Marrëdhëniet Amerikano-Islame (CAIR), organizata më e madhe e të drejtave civile myslimane në SHBA, e mirëpriti konfirmimin të premten.

“Kjo është një ditë historike për komunitetin mysliman amerikan dhe kombin tonë”, tha në një deklaratë nëndrejtori ekzekutiv i CAIR-së, Edward Ahmed Mitchell.

“Ne kemi besim se ai do të mbrojë liritë fetare të të gjitha komuniteteve të kërcënuara nga fanatizmi në mbarë botën, përfshi këtu edhe myslimanët ujgurë që përballen me një gjenocid të paparë nga Partia Komuniste Kineze”, theksoi Mitchell.

Konfirmimin e Rashad Hussainit e përshëndeti gjithashtu Komisioni i SHBA-së për Liritë Fetare Ndërkombëtare.

“Me njohuritë dhe përvojën e tij ndër vite, ambasadori Hussain është njeriu i duhur për të çuar përpara fushatën e administratës amerikane për të promovuar liritë fetare ndërkombëtare”, u shpreh në një deklaratë presidentja e Komisionit të SHBA-së për Liritë Fetare Ndërkombëtare, Nadine Maenza.

Kategoritë
BotaLajme