Një pamje e publikuar sjell në rend dite në BeH snajperistët, “kriminelët e padukshëm të luftës”

“Snajperistët nuk janë dënuar për krimet që kanë kryer këtu. Shpresoj që ky imazh i zbuluar të bëjë që tashmë duhet të bëhet diçka për këtë çështje”, tha Alickovic nga Lëvizja “AntiDayton”

Një pamje e publikuar lidhur me shënjestrimin e civilëve nga snajperët serbë në kryeqytetin e Bosnjë e Hercegovinës, Sarajevës gjatë luftës në vitet 1992-1995 në BeH ua kujtoi boshnjakëve edhe një herë ato ditë të dhimbshme.

Në pamjet që gazetari francez Philippe Buffon ka publikuar nga llogaria e tij në median sociale, vërehet qartë se snajperistët serbë vendosin qartë në shënjestër civilët boshnjakë dhe se në vazhdim të pamjes snajperisti serb shpjegon duke u krenuar se ka goditur në kokë një civil boshnjak.

Derisa Prokuroria e BeH-së njoftoi fillimin e një hetimi lidhur me pamjet e publikuara thuhet se edhe një hetim në shkallë të gjerë ka filluar në lidhje me pamjet e xhiruara në rajonin Nedzarici të Sarajevës.

 

– Snajperët, kriminelët e padukshëm të luftës

Nihad Alickovic, nga lëvizja “AntiDayton” në një prononcim për Anadolu Agency (AA) lidhur me ngjarjet që kanë zënë një vend të gjerë në media. Ai tha se si lëvizje dëshirojnë që përgjegjësit të ndëshkohen sa më parë dhe se ashtu siç vërehet edhe në pamje është kryer krim kundër civilëve.

“E ndjek Buffon. Herë pas here publikon pamje për luftën nga llogaria e tij në median sociale. Në pjesën e parë të pamjeve që ka publikuar disa ditë më parë vërehet se snajperisti serb shënjestron ndërtesat ku banojnë civilët”, tha Alickovic i cili rikujtoi se pjesën e parë të pamjeve në fjalë e ka shikuar 10 vite më parë.

Duke bërë të ditur se Buffon ka qenë me detyrë në zonën ku ishin pozicionuar snajperistët, Alickovic vuri në dukje se këto snajperistë “të padukshëm” kanë vrarë qindra fëmijë dhe civilë.

Pasi tha se vendi në pamje nuk është kategorikisht vijë fronti, Alickovic shtoi se “Snajperistët nuk janë dënuar për krimet që kanë kryer këtu. Shpresoj që ky imazh i zbuluar të bëjë që tashmë duhet të bëhet diçka për këtë çështje”.

“Në të vërtetë, kriminelët që janë përfshirë individualisht në konflikte sot mund të shëtisin të lirë. Edhe snajperistët janë disa prej këtyre. Jam i vetëdijshëm se është e vështirë njohja e fytyrave të tyre, por nuk është e pamundur”, thekson Alickovic duke shtuar se për krime lufte janë ndëshkuar vetëm komandantët dhe përgjegjësit.

– Mënyra e “çuditshme” e shprehjes nga gazetari francez

Alickovic, pasi rikujtoi se ka filluar një punim për gjetjen e shënimeve lidhur me shpërndarjen e detyrës së snajperëve në kohën e luftës, ai u bëri thirrje të afërmve të viktimave për ndriçimin e përjetimeve në kohën kur Sarajeva ndodhej nën rrethim.

Ai njoftoi se është në kontakt me Buffon. “Kisha dëshirë të arrija detajet e pamjeve por nuk dëshiroi të japë informacione. Më pas fshiu edhe pamjet e publikuara më parë. Madje, rekomandoi që të mos lodhim kokën me këto dhe të vazhdojmë jetën tonë. Atëherë pse i publikon këto? Teksa kërkon që t’i harrojmë përse na i kujton ne ngjarjet më të dhimbshme të ditëve të rrethimit? Duket se po fiton para mbi ne”, tha Alickovic.

Pasi rikujtoi se Buffon edhe më parë nuk ka dhënë detaje lidhur me pamjet, Alickovic u bëri thirrje institucioneve përkatëse që të kalojnë në kontakt me gazetarin francez.

Sarajeva u sulmua më 6 prill të vitit 1992. Në qytetin e rrethuar nga njësitë serbe dhe që u bombardua çdo ditë gjatë rrethimit 3.5 vjeçar humbën jetën 11.541 civilë, përfshirë 1.601 fëmijë ndërsa pësuan dëme të mëdha veprat historike dhe kulturore si dhe infrastruktura e qytetit.

Kategoritë
LajmeRajoni