Një prej 5 të arrestuarve për terrorizëm, boshnjak, i lindur në Kuvajt, me pasaportë serbe

Njëri prej pesë të arrestuarve të dielën në Kosovë për përgatitje të sulmeve terroriste, ku thuhet se cak ishte vendi ynë është 25 vjeçare, Nuhredin Skënderi, ështështetas boshnjak, i lindur në Kuvajt dhe ka edhe pasaportë serbe.

Skënderi ka dyshtetësi. Këto informacione janë bërë të ditur në kërkesën e prokurorisë për paraburgim.

Gazeta Online Reporteri.net të dielën në ditën e arrestimit ka raportuar se personat e dyshuar janë Ardijan Gjuraj, Nuhredin Skenderi, Ergim Syla, Mentor Bellaqa, Shkodran Krasniqi.

Sot , pas kërkesës së Prokurorisë Speciale të Kosovës, Gjykata Themelore në Prishtinë ua ka caktuar masën e paraburgimit 30 ditë të të arrestuarve për terrorizëm.

Sipas Prokurorisë Ardian Gjuraj, Ergim Syla dhe Nuhredin Skënderi po dyshohen se kanë kryer veprën penale “përgatitja e veprave terroriste ose veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës” lidhur me veprën penale “kryerja e veprës terroriste

Kurse, Mentor Bellaqa po dyshohet se ka kryer veprat penale “përgatitja e veprave terroriste ose veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës” lidhur me veprën penale “kryerja e veprës terroriste” dhe “mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Ndërkaq, Shkodran Krasniqi po dyshohet se ka kryer veprën penale “importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, ndërmjetësimi dhe shitja e paautorizuar e armëve apo materieve plasëse”.

Në kërkesën e prokurorisë të siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, thuhet se ekziston frika se të pandehurit po të mbrohen në liri mund t’i qasen arratisë për t’i ikur përgjegjësisë penale para së cilës ndodhen dhe në këtë mënyrë do të jenë të paqasshëm për drejtësinë

Prokuroria ka pretenduar se ekziston edhe rreziku i përsëritjes së veprave penale, duke marrë për bazë peshën e veprave penale, rrethanat në të cilat të njëjtit kanë vepruar, e duke marrë për bazë edhe karakteristikat e tyre personale e veçmas rrezikshmërinë shoqërore të veprave penale. Gjithashtu thuhet se rezulton se të njëjtit mund të përfundojnë veprat penale për të cilat është bërë përgatitje paraprake.

Prokuroria ka thënë se kanë ardhur në përfundim se asnjëra nga masat alternativa nuk do të jenë të mjaftueshme për sigurimin e prezencës së të pandehurve në procedurë, përkatësisht përfundimin e suksesshëm të hetimeve në këtë rast.

Ndryshe, arrestimi i pesë të lartpërmendurve u bë dy ditë më parë, më 10 tetor.

Ndërkaq një ditë më parë, më 11 tetor, PSRK dhe Policia e Kosovës njoftuan për sekuestrimin e një sasie të konsiderueshme të armatimit, eksplozivit dhe parave të gatshme.

Kategoritë
LajmeVendi