Një tjetër “tren humanitar” me 921 tonë ndihma për në Afganistan niset nga Turqia

“Treni humanitar” nga Turqia në Afganistan do të përshkojë 4.168 kilometra dhe do të transportojë ndihmën e 16 organizatave humanitare në 45 vagonë, të koordinuar nga Drejtoria për Situata të Jashtëzakonshme e Turqisë (AFAD).

Një tjetër “tren humanitar” me 921 tonë ndihma për në Afganistan u nis nga Ankaraja, kryeqyteti i Republikës së Turqisë, raporton Anadolu Agency (AA).

“Treni humanitar” nga Turqia në Afganistan do të përshkojë 4.168 kilometra dhe do të transportojë ndihmën e 16 organizatave humanitare në 45 vagonë, të koordinuar nga Drejtoria për Situata të Jashtëzakonshme e Turqisë (AFAD).

“Treni do të kalojë përmes Iranit dhe Turkmenistanit dhe do të dërgojë ndihma të konsiderueshme humanitare në Afganistan”, tha Hasan Pezuk, kreu i Hekurudhave të Republikës së Turqisë (TCDD), gjatë një fjalimi në një ceremoni.

Midis të pranishmëve ishin zyrtarë turq, duke përfshirë zëvendësministrat e brendshëm dhe të transportit, përfaqësues të organizatave humanitare, AFAD dhe Drejtorisë për Çështjet Fetare (Diyanet).

Dy trenat, të cilët transportuan 750 tonë ndihma në 47 vagonë, u nisën nga Ankaraja më 27 janar dhe mbërritën në Afganistan më 7 shkurt.

Zyra e Kombeve të Bashkuara për Koordinimin e Çështjeve Humanitare (OCHA) tha se gjysma e popullsisë së Afganistanit po përballet me urinë, ndërsa më shumë se nëntë milionë njerëz janë zhvendosur. Gjithashtu, miliona fëmijë nuk kanë mundësi të shkojnë në shkollë.

OKB-ja dhe partnerët kanë iniciuar më parë një thirrje prej 4,4 miliardë dollarësh për fonde për të parandaluar një fatkeqësi humanitare në Afganistan në vitin 2022.

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, ka paralajmëruar se miliona afganë mund të vdesin nga uria, duke i kërkuar komunitetit ndërkombëtar të lejojë përdorimin e aseteve të ngrira dhe të fillojë një sistem bankar.

Kategoritë
BotaLajme