Një viktimë dhe disa të plagosur nga tërmeti i fuqishëm në Bosnjë e Hercegovinë

Tërmeti i fuqishëm me magnitudë 5.6 ballë të shkallës së Rihterit goditi Bosnjë e Hercegovinën të premten vonë, me epiqendër 16 kilometra larg Stolacit. Si pasojë e tërmetit humbi jetën Elmira Sefo (27)

Në zonën jugore të Bosnjë e Hercegovinë janë regjistruar më shumë se 30 tërmete gjatë natës nga e premtja në të shtunën, pas tërmetit të parë të fuqishëm të mbrëmshëm me magnitudë 5.6 ballë të shkallës së Rihterit, raporton Anadolu Agency (AA).

Pasgoditja më e fortë ishte me magnitudë 4.4 ballë të shkallës së Rihterit ndërsa epiqendra e të gjitha tërmeteve ishin afër Stolacit.

Tërmeti i fuqishëm me magnitudë 5.6 ballë të shkallës së Rihterit goditi Bosnjë e Hercegovinën të premten vonë, me epiqendër 16 kilometra larg Stolacit. Si pasojë e tërmetit humbi jetën Elmira Sefo (27), e cila u soll nga Stolaci në spitalin e Mostarit në gjendje të rëndë.

Vajza humbi jetën pasi një gur i madh ra në shtëpinë e saj në Stolac. Prindërit dhe motra e vajzës kanë mbetur të plagosur lehtë. Në Stolac janë lënduar disa persona të tjerë, ndërsa në qytetet e Hercegovinës janë shkaktuar dëme të mëdha materiale në shumë objekte.

Instituti Federal Hidrometeorologjik (FHMZ) i BeH-së njoftoi mëngjesin e sotëm se gjatë natës janë regjistruar tetë tërmete, më i forti prej të cilëve ishte 4.4 ballë sipas Rihterit, i regjistruar në orën 04:20 të mëngjesit. Sipas FHMZ, tërmeti i fundit është regjistruar në orën 08:20 prej 2.7 ballësh.

Tërmeti i mbrëmshëm me magnitudë 5.6 ballë, me epiqendër afër Stolacit, është tërmeti i pestë më i fortë i regjistruar ndonjëherë në Bosnjë e Hercegovinë dhe më i forti në 50 vitet e fundit në vend.

Kujtojmë se tërmeti i së premtes në orën 23:07, përveç në Bosnjë e Hercegovinë, është ndjerë edhe në Trieste të Italisë, disa qindra kilometra nga epiqendra, si dhe në Kroaci, në të gjithë Malin e Zi, Serbi, Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni të Veriut.

Kategoritë
BotaLajme