Njëqind raketa të tjera nga Gaza drejt Izraelit

Krahu i armatosur Xhihadi Islam u përgjigjet sulmeve të Izraelit ndaj vendbanimeve civile duke shënjestruar katër qytete.

Krahu ushtarak i grupit palestinez Xhihadi Islam sot deklaroi se ka shënjestruar Tel Avivin dhe qytete të tjera izraelite me 100 raketa të tjera në përgjigje të sulmeve izraelite ndaj vendbanimeve civile në Gaza.

“Ne ndërmorëm një sulm të fuqishëm ndaj armikut në orën 5 të mëngjesit të sotëm në shenjë hakmarrjeje për sulmet kundër vendbanimeve civile dhe civilëve”, thuhet në deklaratën e Brigadave Al-Kuds.

Më tej thekson se në shënjestër të sulmeve ishin qytetet Tel Aviv, Ashkelon, Beersheba dhe Sderot.

Ndërkohë, ushtria izraelite përmes Twitter-it njoftoi se mbi 1.050 raketa janë hedhur nga Rripi i Gazës në Izrael në 38 orët e fundit, duke shtuar se shumica e tyre u interceptuan nga sistemi i tyre i mbrojtjes ajrore.

Numri i palestinezëve të vrarë nga forcat izraelite që nga fillimi i ofensivës së tyre në Rripin e Gazës është rritur në 35, tha Ministria palestineze e Shëndetësisë.

Të paktën 220 të tjerë janë plagosur.

Pesë izraelitë gjithashtu janë vrarë dhe 45 të tjerë janë plagosur në sulmet palestineze me raketa.

Tensionet janë duke u rritur që nga java e kaluar pasi një gjykatë izraelite urdhëroi dëbimet e familjeve palestineze nga lagjja Sheikh Jarrah të Kudsit Lindor.

Kategoritë
BotaLajme