Njeriu më i moshuar në Francë vdes nga COVID-19 në moshën 112-vjeçare

Superqindvjeçari lindi në korrik 1909 dhe jetoi nëpër periudhat historike të luftërave botërore dhe Depresionit të Madh të 1929-ës

Superqindvjeçari Marcel Meys, i cili ishte 112 vjeç dhe që besohej të ishte personi më i vjetër në Francë, vdiq pasi u infektua me COVID-19, njoftuan mediat lokale, transmeton Anadolu Agency (AA).

Meys vdiq më 15 dhjetor në një spital në Vienne, një komunë në rajonin Rhone Alpes Auvergne në Francën juglindore. Ai u pranua në spital dhe u vendos në mbështetje me oksigjen pasi shëndeti i tij u përkeqësua në shtëpi, tha për mediat vajza e tij e vetme Nicole Boiron. Varrimi i tij do të bëhet më 22 dhjetor, raportoi e përditshmja Ouest.

Meys thuhet se ishte i pavaksinuar dhe jetonte i vetëm në shtëpinë e tij në Saint-Romain-en-Gal, e cila ka qenë rezidenca e tij që nga viti 1957. Ai jetoi një jetë të lumtur, të bukur dhe ishte krenar që ishte qytetari më i vjetër, thotë familja e tij.

Meys, vendas i luginës Rhone, lindi në korrik 1909 dhe jetoi nëpër periudhat historike të luftërave botërore dhe Depresionit të Madh të 1929-ës.

Në kohën e Luftës së Dytë Botërore, ai punoi si ndihmësmjek dhe drejtoi një shërbim taksi ambulance. Ai mbështeti lëvizjen e rezistencës franceze, e cila ishte e përqendruar kryesisht në rajonin juglindor për të luftuar bashkëpunëtorët e Regjimit Vichy, duke transportuar anëtarët e plagosur në spitale. Ai vazhdoi këtë punë deri në pensionimin e tij në vitin 1967.

Tradicionalisht, Franca u jep titullin “Dekan” qytetarëve më të vjetër të gjallë në departamente ose rajone. Meys mori titullin nga Martiniquais Jules Theobald i cili lindi më 17 prill 1909 dhe vdiq tetorin e kaluar.

Jeanne Mayet, 110 vjeçe, nga departamenti Puy-de-Dome në Rhone Alpes Auvergne, tani besohet të jetë pasardhëse e titullit “Dekan” dhe personi më i vjetër që jeton në Francë, raportoi e përditshmja Le Progres.

Kategoritë
BotaLajme