Njoftimi që zbuloi se sa gjatë do të qëndrojë Kurti në SHBA

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka udhëtuar gjatë ditës së djeshme drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ai, sot është në ditën e dytë të vizitës së tij. Gjatë ditës së djeshme, Kurti ka takuar drejtoreshën e Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC), Alice Albright.

Gjatë qëndrimit në SHBA, kryeministri do të takohet me zyrtarë shtetërorë, udhëheqës të ndërmarrjeve, përfaqësues të organizatave, si dhe komunitetin shqiptaro-amerikan, ka njoftuar Zyra e Kryeministrit.

Kabineti i tij, deri tani, nuk ka dhënë ndonjë sqarim se sa do të qëndrojë Kurti në SHBA, megjithatë Komuniteti i Shqiptaro-Amerikanëve të Illinois në Çikago ka lëshuar një njoftim që Kurti do t’i vizitojë ata me datë 14 maj, shkruan Gazeta Express.

Në bazë të këtij njoftim, i bije që Kryeministri i Kosovës do të qëndrojë të paktën edhe një javë në SHBA. Në njoftim qartësohet se Kurti do të takohet me shqiptaro-amerikanët nga 18:00 deri në ora 21:00.

Kurti kishte deklaruar në një konferencë se kur të shkojë në SHBA, do të qëndronte 10 ditë ose dy javë.

“Shkoj për 10 ditë e dy javë, por jo për tri ditë. Për shkak të situatës në të cilën ndodhemi jemi detyruar ta shtyjmë muaj pas muaji. Jam i interesuar të shkoj dhe kjo do të ndodh në pranverë. Do të më duhet të qëndroj pak më shumë se zakonisht në mënyre që ju të bëni pyetjen se kur do të kthehem në Kosovë”, kishte thënë ai.

Kategoritë
LajmeVendi