Norvegjia ende në kërkim të dy vëllezërve kosovarë që dyshohen për vrasje

Valon e Visar Avdyli, i pari 35 e i dyti 32 vjeç vazhdojnë të jenë në kërkim nga autoritetet norvegjeze për një vrasje që dyshohet se e kanë kryer në Mortensrud në Oslo më 7 tetor.

Sipas raportimeve të mediave atje, pas kryerjes së krimit ata dyshohet se kanë ardhur në Kosovë, transmeton lajmi.net.

“Ka ende shumë aktivitet në punë, por ende nuk kemi arrestuar askënd”, thotë avokati i policisë, Børge Enoksen në qarkun e policisë së Oslos.

Policia në fund të tetorit publikoi emrat e dy të akuzuarve, vëllezërve Valon (35) dhe Visar (32) Avdyli nga Bærum. Ata akuzohen për vrasje dhe/ose bashkëpunim në vrasje.

Bëhet e ditur se të dy kanë udhëtuar nga Gardermoen për në Prishtinë në Kosovë dy ditë pas vrasjes.

Këtë javë, Gjykata e Qarkut në Oslo vendosi të zgjasë paraburgimin për të akuzuarin e tretë në këtë çështje, një 40-vjeçar.

“Kjo është pjesërisht për shkak të rrezikut të humbjes së provave”,  thotë Enoksen.

Ai megjithatë është në dijeni se policia beson se burri ka pasur një rol vartës në vrasje.

Avokati i vëllezërve Avdyli, Svein Holden, ka thënë më parë për mediat në Norvegji se të dy mohojnë të kenë lidhje me vrasjen.

Ai thotë se nuk do të komentojë rastin derisa vëllezërit të arrestohen.

Kategoritë
BotaLajme