Novavax nis testimin e vaksinës së kombinuar për Covid-19 dhe grip sezonal

Kompania për prodhim të vaksinave, Novavax ka thënë të mërkurën se ka nisur fazat e para të testimit të vaksinës së kombinuar kundër gripit sezonal dhe COVID-19, sëmundjes që shkakton koronavirusi.

Testimi, që do të kryhet në Australi, do të përfshijë 640 persona të rritur e të shëndetshëm të moshave 50-70 vjeç, të cilët ose kanë qenë të infektuar me koronavirus, ose kanë marrë ndonjë vaksinë kundër këtij virusi tetë javë para studimit.

Pjesëmarrësit do të marrin një dozë të kombinuar nga vaksina e saj kandidate kundër koronavirusit dhe ajo e gripit sezonal, bashkë me një përforcues vaksinash.

“Kombinimi i këtyre dy vaksinave mund të rezultojë me më shumë efikasitet për sistemin e kujdesit shëndetësor dhe të krijojë nivele më të larta të mbrojtjes kundër COVID-19 dhe gripit sezonal me një regjim të vetëm”, ka thënë Gregory Glenn, president për Kërkime dhe Zhvillim në Novavax, përmes një deklarate.

Novavax ka thënë në muajin maj se pret që kombinimi i këtyre dy vaksinave të jetë kritik në luftim të varianteve të koronavirusit.

Në studimet para-klinike, vaksina e kombinuar ka ofruar përgjigje të mirë ndaj varianteve Alfa dhe Beta, si dhe ka ofruar mbrojtje kundër koronavirusit.

Novavax pret që rezultatet e testimeve klinike t’i ketë të qasshme në pjesën e parë të vitit 2022.

Kategoritë
BotaLajme