“Nuk bëj më krime”, deklarata e Dardan Krivaqës në seancën gjyqësore për sulm ndaj policit civil

Dardan Krivaqa, i arrestuari si i dyshuari kryesor për vrasjen e 18 vjeçares M.O, në seancën gjyqësore ku ishte dënuar për lëndimin e një polici, kishte kërkuar zbutjen e dënimit me premtimin se nuk do të bëjë më krime të tilla.

Në muajin shkurt Dardan Krivaqa, në seancën ku po gjykohej për lëndimin e një polici, kishte kërkuar nga Gjykatësi që t`i lehtësonte masën e dënimit me premtimin se nuk do të bënte më krime të tilla.

Sipas aktgjykimit të siguruar nga Gazeta Insajderi, Krivaqa e kishte pranuar veprën penale se kishte kapur për qafe policin civil duke i vënë thikën në fyt, por se kishte deklaruar se këtë vepër e kishte kryer në ndikim të alkoolit.

Ai madje kishte kërkuar që t`i zbutet dënimi pasi që i duhet të kujdesej për nënën e sëmurë dhe se nuk do ta përsëriste vepra të ngjashme.

“I akuzuari D.K.në shqyrtimin fillestar ka deklaruar se e pranon fajësinë për veprën penale e cila i’u vihet në barrë, shprehu keqardhje dhe është i penduar thellë”.

“Tutje ka deklaruar se në familje jeton vetëm me nënën e tij e cila është e sëmurë nga zemra dhe se e njëjta ka nevojë për përkujdesje e tij, se këtë vepër e ka kryer nën ndikimin e alkoolit dhe se nuk ka pasur qëllim që t’a lëndoj atë.

I njëjti kërkoi nga gjykata që të i shqiptoj një dënim sa më të butë dhe i premtoi gjykatës se nuk do të përsërit vepra të tilla të ngjashme”, thuhet në arsyetimin e gjykatës.

Kategoritë
LajmeVendi