Nuk ka kërkesë nga Serbia për mbajtjen e zgjedhjeve në Kosovë

Serbia ende nuk i ka bërë ndonjë kërkesë të drejtpërdrejtë Qeverisë së Kosovës për mbajtjen e zgjedhjeve të saj presidenciale dhe parlamentare brenda territorit të Kosovës, tha të hënën Mimoza Kusari Lila, shefe e Grupit Parlamentar të partisë qeverisëse në Kosovë, Lëvizjes Vetëvendosje.

Duke folur pas një mbledhjeje të Kryesisë së Kuvendit, Kusari Lila përsëriti qëndrimin e mëhershëm të Qeverisë së Kosovës, se për mbajtjen e zgjedhjeve serbe të 3 prillit mund të vendoset vetëm pas një kërkese të drejtpërdrejtë nga Serbia.

“Zgjedhjet mund të organizohen në bazë të Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës, vetëm pas një kërkese nga shteti serb te shteti i Kosovës. Kjo kërkesë nuk ka ardhur”, tha Kusari – Lila.

Më 14 mars, Kusari – Lila ka thënë se Beogradi u është drejtuar institucioneve ndërkombëtare për mundësinë e mbajtjes së zgjedhjeve në Kosovë, por, siç ka thënë ajo, autoritetet sovrane në Kosovë janë Qeveria e Kosovës dhe institucionet e Kosovës.

Për mundësinë e mbajtjes së zgjedhjeve serbe në Kosovë dhe kërkesës, Reporteri.net ka pyetur edhe Qeverinë e Serbisë dhe Komisionin Zgjedhor të këtij vendi, por ata nuk kanë kthyer përgjigje.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë më 15 mars se është në kontakt me ambasadat e vendeve të Quint-it (SHBA-së, Britanisë, Gjermanisë, Italisë dhe Francës) dhe Bashkimin Evropian, që të gjendet një zgjidhje për serbët e Kosovës që duan të votojnë në zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale të Serbisë.

Kurti ka thënë se Qeveria synon që të drejtat e serbëve të mos shkelen, por, në të njëjtën kohë, sipas tij, të mos cenohet as shtetësia e Kosovës.

“Konsiderojmë që në njërën anë, nuk duhet t’iu pamundësojmë serbëve në Kosovë, që e kanë përveçse nënshtetësinë e Kosovës edhe atë të Serbisë, ta kenë të drejtën e votës, mirëpo në anën tjetër, kushtetushmëria, ligji në Kosovë, rezoluta e fundit e Kuvendit, e 15 janarit, neve na e obligojnë bazën e çfarëdo zgjidhjeje që do të marrim në të ardhmen”, u shpreh kryeministri Kurti më 15 mars.

Misioni në Kosovë i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, është i gatshëm edhe këtë herë t’i grumbullojë votat po që se mbahen zgjedhjet e Serbisë në Kosovë, kanë thënë për Gazetën Online Reporteri.net nga ky mision pak ditë më parë.

“Misioni i OSBE-së në Kosovë vazhdon të jetë i gatshëm për të kryer grumbullimin e votave me kusht. OSBE-ja, përmes misionit të saj, ka bërë mbledhjen e votave për zgjedhjet serbe në Kosovë që nga viti 2012, e mbështetur nga institucionet e Kosovës, përfshirë Policinë e Kosovës dhe KFOR-in. Megjithatë, kjo ka qenë gjithmonë e bazuar në marrëveshje të ndërsjellë ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, dhe pëlqimit të të gjitha institucioneve relevante për një operacion të tillë”, thuhet në përgjigjen e OSBE-së për Reporteri.net.

Pjesëtarët e opozitës në Kuvendin e Kosovës i kanë bërë thirrje Qeverisë që të ketë kujdes në ruajtjen e sovranitetit të vendit në çfarëdo vendimi që mund të marrë në lidhje me mbajtjen e zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë.

“Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës i kërkon Qeverisë që ta mbrojë sovranitetin e vendit tonë. Çdo zgjidhje duhet të bëhet në përputhje të plotë me Kushtetutën”, ka thënë Abelard Tahiri, shef i Grupit Parlamentar të PDK-së.

Besnik Tahiri, nga Grupi Parlamentar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, ka kërkuar nga Qeveria që të ketë komunikim me Kuvendin për çfarëdo vendimi që mund të marrë për zgjedhjet serbe.

“Qeveria duhet ta trajtojë këtë temë shumë seriozisht, mos të na sjellë panik. Duhet ta njoftojë Parlamentin që nëse vendos kundër, çka janë pasojat dhe të mirat, dhe anasjelltas”, ka thënë Tahiri.

Qeveria e Kosovës vazhdimisht është zotuar se do të respektojë Kushtetutën e vendit për mënyrën se si do të mund të votojnë qytetarët me shtetësi serbe në Kosovë në zgjedhjet që i organizon Serbia.

Që nga fundi i luftës në Kosovë, votimet për zgjedhjet e Serbisë mbahen me ndihmën e OSBE-së. Misioni i OSBE-së ka organizuar zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale të Serbisë edhe në Kosovë, e prej vitit 2012 edhe ato lokale.

Dyshtetësia serbëve ua lejon votimin edhe për shtetin e të cilit e kanë pasaportën, por kjo në raste të tjera zakonisht bëhet përmes postës ose me votim në ambasadën e shtetit përkatës, e jo në qendra votimi.

Më 3 prill në Serbi pritet të zhvillohen zgjedhjet presidenciale dhe ato parlamentare.

Zgjedhjet e fundit parlamentare, të cilat Serbia i organizoi në mjediset e banuara me shumicë serbe në Kosovë, u mbajtën më 21 qershor, 2020./Reporteri.net

Kategoritë
LajmeRajoni