Nusja e Bejrutit: Kur gëzimi u shndërrua në tmerr nga shpërthimi i Portit

E veshur me fustanin e saj të bardhë dhe duke pozuar fotografi në një nga sheshet më të bukur të Bejrutit, momentet e gëzueshme të saj papritur u prishën nga shpërthimi i Portit të Bejrutit që shkaktoi tronditje përtej qytetit.

Kur shpërthimi katastrofik i Portit të Bejrutit ndodhi vitin e kaluar, shumë skena të tmerrshme u bënë virale në mediat sociale dhe videoja e dasmës së Israa Al-Seblani, e cila u bë e njohur si nusja e Bejrutit, ishte ndër ata që kryesuan listën.

Më 4 gusht të vitit 2020, Al-Seblani, një mjeke, po lidhte kurorën me të fejuarin e saj Ahmed Sobeih, i cili është biznesmen.

E veshur me fustanin e saj të bardhë dhe duke pozuar fotografi në një nga sheshet më të bukur të Bejrutit, momentet e gëzueshme të saj papritur u prishën nga shpërthimi i Portit të Bejrutit që shkaktoi tronditje përtej qytetit.

Sa hap e mbyll sytë, ngjarja e gëzueshme e regjistruar nga kameramani i saj, Mahmoud Al-Naqeeb, u shpërnda duke u shndërruar në një moment paniku dhe terrori.

Për shumë njerëz, videoja përmblodhi ndikimin e tmerrshëm të shpërthimit që la të paktën 200 persona të vdekur, mijëra të plagosur dhe dëme masive materiale.

Një vit më vonë, ekipi i Anadolu Agency (AA) vizitoi sheshin e famshëm të Bejrutit që tërheq çifte të reja për t’u takuar me Al-Seblanin.

Derisa një çift i ri aty pranë po kalonte kohën më të mirë duke pozuar fotografi, kujtimet e Al-Seblanit për momentin e frikshëm që ajo dëshmoi vitin e kaluar akoma janë të freskëta.

Vetëm rreth 1.5 kilometra nga vendi i shpërthimit, sheshi nuk u kursye nga efektet e shpërthimit, me zonën e dëmtuar që vlerësohet të jetë e shtrirë mbi 8 kilometra diametër duke prekur rreth 62 mijë njësi banimi dhe 20 mijë ndërmarrje tregtare.

“Dita gjithmonë më shoqëron. Është një kujtesë kolektive që do të mbetet e mbërthyer në mendjet e të gjithë qytetarëve”, tha Al-Seblani për AA.

Për të, titulli Nusja e Bejrutit ndonjëherë e shqetëson, sepse i kujton “ditën e errët” që rrafshoi Bejrutin dhe që anuloi dasmën e saj.

– Shpërthimi në Bejrut, një trishtim tragjik

Ahmed Sobeih ndau ndjenjat e gruas së tij duke theksuar se Libani nuk do të jetë më i njëjti.

“I gjithë populli libanez nuk do ta harrojë atë ditë. Dasma jonë duhej të ishte një nga ditët më të lumtura në jetën tonë, por u shndërrua në një shenjë tragjike trishtimi për ne dhe për të gjithë Libanin”, tha Sobeih.

Sipas tij, jeta në Liban është përkeqësuar pas shpërthimit, por shprehu besimin e tij në aftësinë e vendit për rimëkëmbje dhe që njerëzit të qëndrojnë të palëkundur për një të nesërme më të mirë.

Shpërthimi ka përkeqësuar më tej krizën ekonomike të Libanit, e cila vetëm se ishte më e keqja në historinë moderne të kombit arab, duke e lënë atë në prag të një kolapsi financiar.

Vendi po vuan nga një mungesë akute e barnave të importuara, karburantit dhe çmimeve të larta të mallrave ushqimore mes mungesës së këmbimit valutor në vend.

Në dritën e këtyre krizave të shumanshme, çifti për AA zbuloi planet e tyre për t’u zhvendosur në SHBA ose Kanada pasi të përgatiten dokumentet e tyre me shpresën për një të ardhme më të mirë.

Ata thanë se dëshirojnë që Bejruti të ngrihet përsëri nga rrënojat dhe të rimarrë përcaktimin e tij si nusja e botës arabe.

Deri më sot, jeta në Bejrut nuk është kthyer në normalitet. Shpërthimi i madh la qindra ndërtesa banimi, ndërtesa tregtare, ndërtesa të trashëgimisë dhe një zinxhir të infrastrukturës së shkatërruar, duke i kushtuar vendit miliarda dollarë humbje financiare.

Shumica e të prekurve nga shpërthimi ankohen se nuk janë kompensuar nga kompanitë e sigurimeve, me përjashtim të kompensimeve të vogla.

Përveç kësaj, shpërthimi la mijëra të papunë, duke krijuar një gjendje të përgjithshme zhgënjimi tek të rinjtë.

Ndërkohë, ekspertët e mjedisit kanë paralajmëruar se shpërthimi shkaktoi ndotje të lartë të ajrit.

Libani po përballet me një krizë politike pasi kryeministri i caktuar, Najib Mikati, akoma nuk ka qenë i suksesshëm në formimin e një qeverie të re.

Vëzhguesit besojnë se dështimi për të formuar një qeveri e bën të vështirë ngritjen e Bejrutit dhe veçanërisht rindërtimin e portit të tij pasi formimi i qeverisë hap derën për ndihmën e huaj.

Kategoritë
BotaLajme