OBI do të mbajë takim të jashtëzakonshëm për të diskutuar situatën në Kuds

OBI njoftoi se takimi është me kërkesë të Indonezisë dhe do të mbahet në nivel të përfaqësuesve të përhershëm

Organizata e Bashkëpunimit Islam (OBI) tha se do të mbajë një takim të jashtëzakonshëm më 25 prill për të “diskutuar shkeljet në rritje të Izraelit kundër Xhamisë Al-Aksa”, transmeton Anadolu Agency (AA).

OBI njoftoi se takimi është me kërkesë të Indonezisë dhe do të mbahet në nivel të përfaqësuesve të përhershëm.

Grupi pan-musliman tha gjithashtu se Sekretari i Përgjithshëm Hissein Brahim Taha zhvilloi konsultime me disa aktorë ndërkombëtarë për të shprehur “refuzimin dhe dënimin e OBI-së ndaj përpjekjeve të okupimit izraelit për të imponuar ndarje kohore dhe hapësinore në Xhaminë Al-Aksa”.

Taha i kërkoi komunitetit ndërkombëtar dhe aktorëve “të ndërmarrin veprime urgjente për t’i dhënë fund shkeljeve të Izraelit kundër vendeve të shenjta”.

Tensionet janë rritur në territoret palestineze që nga fillimi i prillit, pas arrestimeve të përsëritura të forcave izraelite në Bregun Perëndimor të pushtuar.

Inkursionet e përditshme të kolonëve në Xhaminë Al-Aksa për të festuar festën njëjavore të Pashkëve Hebraike e kanë ndezur më tej situatën.

Xhamia Al-Aksa është vendi i tretë më i shenjtë në botë për muslimanët. Hebrenjtë e quajnë këtë zonë Mali i Tempullit, duke pretenduar se ishte vendi i dy tempujve hebrenj në kohët e lashta.

Izraeli pushtoi Kudsin Lindor, ku ndodhet Al-Aksa, gjatë luftës arabo-izraelite të vitit 1967. Ai aneksoi gjithë qytetin në vitin 1980, hap që nuk u njoh kurrë nga komuniteti ndërkombëtar.

Kategoritë
BotaLajme