OBSH: Rritet në 72 numri i sulmeve ndaj qendrave shëndetësore në Ukrainë

Organizata Botërore e Shëndetësisë njoftoi se është rritur në 72 numri i sulmeve kundër qendrave që ofrojnë shërbime shëndetësore në Ukrainë, në të cilën vazhdojnë sulmet e Rusisë

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) njoftoi se është rritur në 72 numri i sulmeve kundër qendrave që ofrojnë shërbime shëndetësore në Ukrainë, në të cilën vazhdojnë sulmet e Rusisë, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në sistemin e Organizatës për Gjurmimin e Sulmeve kundër Shërbimeve Shëndetësore, janë përditësuar informacionet për sulmet ndaj qendrave shëndetësore të ndërmarra që nga 24 shkurti kur filloi lufta në Ukrainë.

Sipas të dhënave, janë kryer 72 sulme ndaj qendrave shëndetësore në Ukrainë ndërsa në këto sulme kanë humbur jetën 71 persona dhe janë plagosur 37 të tjerë.

Ndër të tjera është ndarë informacioni se 56 sulme janë kryer me armë të rënda dhe 12 me armë individuale, ndërsa sulmet e tjera janë kryer në formën e ndalimit dhe sabotimit.

Në sulmet e ndërmarra deri më tani krahas 58 ndërtesave shëndetësore, janë goditur 11 automjete shëndetësore, 8 dërgesa të produkteve mjekësore dhe një depo materialesh.

Kategoritë
BotaLajme