Odat ekonomike të Kosovës dhe Izraelit angazhohen për përmirësimin e marrëdhënieve ekonomike

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, dhe nënkryetari i Odës Ekonomike të Izraelit, Roy Roznek, u pajtuan se bashkëpunimi mes dy odave ekonomike është në fillim, por theksuan qëllimin për rritje të bashkëpunimit.

Përfaqësues të Odës Ekonomike të Kosovës dhe Odës Ekonomike të Izraelit zhvilluan një takim në Prishtinë, ku u konstatua se ka kushte për bashkëpunim ekonomik midis dy vendeve, raporton Anadolu Agency (AA).

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, dhe nënkryetari i Odës Ekonomike të Izraelit, Roy Roznek, u pajtuan se bashkëpunimi mes dy odave ekonomike është në fillim, por theksuan qëllimin për rritje të bashkëpunimit.

Duke folur në një konferencë shtypi pas takimit të dy delegacioneve, Rukiqi tha se qëllimi i vizitës së delegacionit më të madh të biznesit nga Izraelit deri më tani ishte të rrisë bashkëpunimin dhe mes vendeve të arrihet një Marrëveshje e Tregtisë së Lirë.

“Ky është hapi i parë. Në tetor, ne do të shkojmë për vizitë atje dhe normalisht do të ketë vizita të tjera nga kompanitë izraelite këtu. Roznek dhe unë do të punojmë në emër të dy odave për të krijuar parakushte të rëndësishme ligjore, duke filluar me propozimet që do t’u dërgojmë dy Qeverive për të inicuar një Marrëveshje të Tregtisë së Lirë midis Kosovës dhe Izraelit”, tha Rukiqi.

Ai theksoi se marrëdhëniet ekonomike me Izraelin janë të rëndësishme për Kosovën, për shkak të fuqisë ekonomike të Izraelit dhe për shkak se shumë kompani izraelite janë udhëheqëse botërore në fushat e tyre.

Nënkryetari i Odës Ekonomike të Izraelit, Roznek, tha se kjo ishte vizita e tij e parë në Kosovë dhe se Izraeli ishte gati të fillonte bashkëpunimin ekonomik me Kosovën.

“Është kënaqësi të jem këtu për herë të parë, ky takim është një lidhje e fortë për të vendosur marrëdhënie ekonomike midis dy vendeve”, tha Roznek.

Angazhimi i odave ekonomike në zgjerimin e marrëdhënieve ekonomike mes Kosovës dhe Izraelit vjen pasi të dy vendet zyrtarisht vendosën marrëdhënie diplomatike më 1 shkurt të këtij viti.

Vendosja e marrëdhënieve diplomatike midis Izraelit dhe Kosovës u dakordua me Marrëveshjen e Washington-it për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike midis Kosovës dhe Serbisë, e arritur në Shtëpinë e Bardhë më 4 shtator 2020, kur Donald Trump ishte presidenti i SHBA-së.

Kategoritë
Ekonomi