Oficeri i krimeve ndaloi të riun për verifikim, ai iu “përgjigj” me plumba, një prej tyre i kapi zemrën

Zbardhet dinamika e vrasjes së Saimir Hoxhës, oficerit të krimeve paraditen e sotme në zonën e Vain në Lezhë. Burime bëjnë me dije për ABC se kanë qenë 5 efektivë policie që kanë ndaluar një automjet të panjohur me targa të vjedhura për verifikim.

Kur automjeti është afruar pranë tyre ata i kanë bërë shenjë që të ndalojnë. Në momentin kur është afruar, Aldo Rama 21-vjeç ka qëlluar në drejtim të Saimir Hoxhës nga një distancë e afërt, duke e lënë të plagosur.

Ai është dërguar për në spital por nuk ka arritur të mbijetojë pasi plumbi i ka kapur zemrën. Hoxha bashkë me kolegët e tyre ndodheshin në zonë për të kontrolluar territorin pasi kishin informacione se në lagunën kultivohej lëndë narkotike.

Pasi ka qëlluar në drejtim të policit, Rama është larguar me automjet për disa metra duke e braktisur pranë një biznesi në zonën e Lagunës. Policia tashmë ka nisur krehjen e zonës pasi ka dyshime se i riu nuk është larguar shumë nga zona. Kërkimet po vijojnë edhe me helikopterë nga ajri.

Samir Hoxha baba i dy fëmijëve ishte nga Puka dhe prej vitesh punonte si efektiv policie në Lezhë dhe në Shëngjin.

Kush është Aldo Rama

Aldo Rama vetëm 21-vjeç ka qenë i ndaluar në vitin 2018 për prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike. Ndërkohë në vitin 2020 ai është ndaluar sërish për mbajtjen e armëve të ftohta.

Kategoritë
LajmeRajoni