OKB ia ndalon stafit të saj përdorimin e fjalëve ‘luftë’ dhe ‘pushtim’ për situatën në Ukrainë

Një email mbi politikën e komunikimit i organizatës më të rëndësishme ia ka kujtuar stafit përgjegjësinë e tyre për të qenë “të paanshëm”

Organizata e Kombeve të Bashkuara ia ka ndaluara stafit të saj që t’i referohet situatës në Ukrainë si “luftë” ose “pushtim”, në një lëvizje për t’i balancuar ndjeshmëritë politike pasi Rusia, e cila po e sulmon Ukrainën, është ndër anëtarët më të fuqishëm të kësaj organizate, përcjell Gazeta Express.

Në vend të kësaj, stafi i OKB-së është udhëzuar t’i përdorë termat “konflikt” ose “ofensivë ushtarake” për ta përshkruar pushtimin e Rusisë ndaj fqinjit të saj, nga i cili janë vrarë qindra civilë dhe dy milionë janë detyruar të largohen nga vendi, shkruan Irish Times.

Në një email drejtuar stafit të hënën, departamenti i komunikimit i OKB-së udhëzoi punonjësit që të mos e përshkruanin situatën si luftë dhe të mos e përdornin flamurin ukrainas në llogaritë personale ose zyrtare të rrjeteve sociale ose faqet e internetit.

“Disa shembuj specifik të gjuhës për t’u përdorur/mospërdorur për momentin”, thuhej në emailin që është parë nga Irish Times.

“[Përdorni] “konflikt” ose “ofensivë ushtarake” dhe JO “luftë” ose “pushtim” kur i referoheni situatës në Ukrainë”.

“MOS shtoni flamurin ukrainas në llogaritë personale ose zyrtare të mediave sociale ose faqet e internetit”, thuhej më tej në email.

Politika e komunikimit u shpjegua në email si një mënyrë për ta shmangur “rrezikun e reputacionit”.

Kategoritë
BotaLajme