OKB-ja thotë se po shtohet uria në botën arabe

Një agjenci e Kombeve të Bashkuara tha të enjten se një e treta e popullsisë 420-milionëshe të botës arabe nuk ka ushqim të mjaftueshëm, duke theksuar se 69 milionë njerëz kanë vuajtur nga kequshqyerja vitin e kaluar.

Përmes një raporti, Organizata për Ushqim dhe Bujqësi e OKB-së tha se mes viteve 2019 e 2020, numri i njerëzve të kequshqyer në botën arabe është rritur për 4.8 milionë banorë dhe ka shkuar në 69 milionë, gati 16 për qind e popullsisë në këtë rajon.

“Kjo rritje e nivelit të nënushqyerjes ka ndodhur në të gjitha nivelet e të ardhurave, në vendet e prekura nga konflikti dhe në vendet pa konflikte”, tha agjencia ndërkombëtare.

“Për më tepër, rreth 141 milionë njerëz nuk patën qasje në ushqim të duhur më 2020 – një rritje prej më shumë se dhjetë milionë personave nga viti 2019”, thuhet më tej në raport.

Somalia dhe Jemeni mbetën vendet më të prekura vitin e kaluar. Rreth 60 për qind e somalezëve ishin të uritur dhe më shumë se 45 për qind e jemenasve ishin të nënushqyer.

Organizata e Ushqimit dhe Bujqësisë tha se uria në botën arabe gjatë dy dekadave të fundit është rritur për 91.1 për qind. Kjo organizatë gjithashtu tha se në vendet e pasura arabe është rritur numri i njerëzve me mbipeshë.

Kategoritë
BotaLajme