OKB: Numri i civilëve të vrarë në luftën në Ukrainë rritet në 2.665

Zyra OHCHR-së tha se në mesin e të vdekurve janë gjithashtu 161 fëmijë, që nga 24 shkurti kur filloi “operacioni special ushtarak” i Rusisë në Ukrainë

Zyra e Komisionerit të Lartë të Kombeve të Bashkuara (OKB) për të Drejtat e Njeriut (OHCHR) njoftoi se të paktën 2.665 civilë janë vrarë dhe 3.053 të tjerë janë plagosur në Ukrainë që kur Rusia nisi luftën, transmeton Anadolu Agency (AA).

Zyra OHCHR-së tha se në mesin e të vdekurve janë gjithashtu 161 fëmijë, që nga 24 shkurti kur filloi “operacioni special ushtarak”.

Shumica e viktimave civile të regjistruara u shkaktuan nga armë shpërthyese me një zonë të gjerë ndikimi, duke përfshirë granatimet nga artileria e rëndë dhe sistemet e lançimit të më shumë raketave, si dhe sulmet raketore dhe ajrore.

“OHCHR beson se shifrat aktuale janë dukshëm më të larta, pasi marrja e informacionit nga disa vende ku kanë vazhduar armiqësitë intensive është vonuar”, shtoi OKB.

Ndërkohë, Kryqi i Kuq Ndërkombëtar përmes një kumtese tha se është “thellësisht i alarmuar” nga situata në Mariupol, qyteti-port që Rusia pretendon se ka pushtuar.

Organizata humanitare me qendër në Gjenevë tha se si një “ndërmjetës neutral dhe i paanshëm” është gati të ndihmojë procesin e evakuimit nga qyteti i rrethuar.

“Kërkohet urgjentisht qasje e menjëhershme dhe e papenguar humanitare për të lejuar kalimin vullnetar të sigurt të mijëra civilëve dhe qindra të plagosurve jashtë qytetit, duke përfshirë edhe nga zona e uzinës Azovstal”, tha ICRC, duke iu referuar fabrikës së çelikut ku janë strehuar qindra civilë.

Kategoritë
BotaLajme