OKB: Për herë të parë në 12 muaj bie çmimi global i ushqimit

Indeksi i Çmimeve të Ushqimit FAO shënoi rënie 2.5 për qind në bazë mujore në qershor me ulje të çmimeve të vajrave bimorë, drithërave dhe produkteve të qumështit

Organizata e OKB-së për Ushqim dhe Bujqësi (FAO) bëri të ditur se çmimet globale të ushqimit gjatë muajit qershor ranë për herë të parë në 12 muaj, transmeton Anadolu Agency (AA).

Pas rritjes 12 mujore radhazi, Indeksi i Çmimeve të Ushqimit ra për 2,5 për qind nga maji, duke arritur në mesatarisht 124,6 pikë në qershor.

Shifra akoma qëndron në 33,9 për qind mbi nivelin e saj në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, tregojnë të dhënat.

Rënia vjen nga rënia e çmimeve të vajrave bimorë, drithërave dhe, megjithëse të moderuara, produkteve të qumështit.

Indeksi i çmimit të vajit vegjetal shënoi uljen më të madhe me 9,8 për qind, duke shënuar një rënie katër-mujore, të nxitur nga çmime më të ulëta ndërkombëtare të vajrave të palmës, sojës dhe lulediellit.

Indeksi i çmimit të drithërave ishte më i ulët për 2,6 për qind nga maji, por duke mbetur 33,8 për qind më i lartë se vlera e tij në qershor 2020.

Indeksi i çmimit të qumështit ra me 1 për qind gjatë së njëjtës periudhë kur shënuan rënie kuotimet ndërkombëtare për të gjitha produktet e qumështit të përfaqësuara në indeks, ku gjalpi regjistroi uljen më të lartë.

Nga ana tjetër, indeksi i çmimeve të mishit u rrit për 2,1 për qind për muajin e nëntë radhazi në qershor, por përsëri duke mbetur 8,0 për qind nën majën e saj të arritur në gusht 2014.

Indeksi i çmimit të sheqerit gjithashtu u rrit me 0,9 për qind në bazë mujore në qershor, duke shënuar rritjen e tretë radhazi mujore dhe duke arritur majat e reja shumëvjeçare.

Kategoritë
LajmeTë ndryshme