OKB: Të hetohet menjëherë dhuna e policisë izraelite në Xhaminë Al-Aksa

“Si pasojë e dhunës që forcat e sigurisë izraelite kanë zbatuar gjatë periudhës 15-17 prill kundër palestinezëve përreth Xhamisë Al-Aksa, janë plagosur 180 persona, 27 prej të cilëve janë fëmijë”, tha Shamdasani

OKB-ja tha se aktet e dhunës së policisë izraelite kundër palestinezëve në Xhaminë Al-Aksa duhet të hetohen sa më parë, transmeton Anadolu Agency (AA).

Zëdhënësja e Komisionerit të Lartë të OKB-së për të Drejtat e Njeriut, Ravina Shamdasani, në një konferencë për media në Zyrën e OKB-së në Gjenevë foli lidhur me dhunën që Izraeli zbaton ndaj civilëve në Xhaminë Al-Aksa dhe në Bregun Perëndimor nën pushtim.

Si pasojë e dhunës që forcat e sigurisë izraelite kanë zbatuar gjatë periudhës 15-17 prill kundër palestinezëve përreth Xhamisë Al-Aksa, janë plagosur 180 persona, 27 prej të cilëve janë fëmijë, tha Shamdasani.

“Shumë palestinezë përfshirë të moshuar, gra, fëmijë dhe një gazetarë të cilët nuk përbënin asnjë kërcënim për forcat izraelite të sigurisë, u rrahën me shkop gome dhe u vendosën në objektiv nga një distancë e afërt me plumba plastikë”, tha ajo.

Në këtë periudhë policia izraelite në Kuds ka arrestuar 470 palestinezë, përfshirë 60 fëmijë, tha Shamdasani e cila shtoi se dje në mëngjes forcat policore kanë përdorur sërish dhunë për të larguar palestinezët nga zona përreth Xhamisë Al-Aksa.

Shamdasani theksoi se janë të shqetësuar nga veprimet e dhunshme në rritje të Izraelit në muajin e fundit në territoret palestineze nën pushtim. “Dhuna nga policia izraelite që rezulton me plagosjen e besimtarëve dhe stafit të Xhamisë Al-Aksa duhet të hetohet menjëherë në mënyrë të paanshme, të pavarur dhe transparente si dhe ata që janë përgjegjës të dhunës duhet të vendosen përpara përgjegjësisë”, tha Shamdasani.

Ajo tha se forcat izraelite të sigurisë kanë rritur sulmet e tyre edhe në Bregun Perëndimor dhe se në muajin prill ushtria izraelite ka vrarë 19 civilë palestinezë në rajon.

Shamdasani potencon se këto sulme të Izraelit janë “shqetësim serioz” dhe përsëriti thirrjen e Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres për “uljen e tensioneve dhe hetimin e humbjeve të jetëve të civilëve”.

Kategoritë
BotaLajme