OKB: Të paktën 1.430 civilë kanë humbur jetën në Ukrainë

Sipas UNHCR-së, që nga data 24 shkurt deri më 3 prill gjithsej 4.215.047 refugjatë kaluan nga Ukraina në vendet fqinje, prej të cilëve më shumë se gjysma e tyre në Poloni

OKB-ja njoftoi se në luftën Rusi-Ukrainë të paktën 1.430 civilë kanë humbur jetën, 2.097 të tjerë janë plagosur ndërsa 4.215.047 refugjatë ukrainas kanë ikur në vendet fqinje, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një deklaratë nga Komisioneri i Lartë i OKB-së për Refugjatët (UNHCR) janë ndarë të dhëna të marra nga burime të ndryshme lidhur me krizën e refugjatëve në Ukrainë.

Sipas UNHCR-së, që nga data 24 shkurt deri më 3 prill gjithsej 4.215.047 refugjatë kaluan nga Ukraina në vendet fqinje, prej të cilëve më shumë se gjysma e tyre në Poloni.

Vendet fqinje ku ukrainasit kanë kaluar më shumë janë Polonia (2.451.342), Rumania (643.058), Moldavia (394.740), Hungaria (390.302) dhe Sllovakia (301.405). Në njoftimin e UNHCR-së thuhet se për periudhën 21-23 shkurt nga rajonet Donetsk dhe Luhansk kanë kaluar në Rusi 113 mijë njerëz.

Dihet që qindra mijëra refugjatë që kalojnë nga Ukraina në vendet fqinje shpërndahen më pas në vendet e tjera të Evropës.

Organizata Ndërkombëtare për Migracionin (IOM) e lidhur me OKB-në thekson se brenda Ukrainës janë zhvendosur 6.5 milionë civilë.

– Kanë humbur jetën të paktën 1.430 civilë

Sipas të dhënave të UNHCR-së, të paktën 1.430 civilë kanë humbur jetën dhe 2.097 të tjerë janë plagosur në luftën Rusi-Ukrainë gjatë periudhës 24 shkurt – 3 prill.

Në njoftim thuhet se numri i civilëve të vrarë dhe të plagosur mund të jetë shumë më i lartë.

Shumica e humbjeve civile kanë burim përdorimin e armëve shpërthyese me një gamë të gjerë veprimi, përfshirë sulmet ajrore dhe bombardimet nga artileritë e rënda dhe sistemet multi-raketahedhësve.

OKB-ja deklaron vetëm shifrat që mund të konfirmojë në lidhje me viktimat civile në Ukrainë. Sipas autoriteteve ukrainase, numri i civilëve që kanë humbur jetën është shumë më i lartë.

Kategoritë
BotaLajme