OKB: Të paktën 1.892 civilë kanë humbur jetën në Ukrainë

OKB-ja ka njoftuar se në luftën Rusi-Ukrainë të paktën 1.892 civilë kanë humbur jetën, 2.558 të tjerë janë plagosur, ndërkohë 4.615.830 refugjatë ukrainas kanë ikur jashtë vendit

OKB-ja ka njoftuar se në luftën Rusi-Ukrainë të paktën 1.892 civilë kanë humbur jetën, 2.558 të tjerë janë plagosur, ndërkohë 4.615.830 refugjatë ukrainas kanë ikur jashtë vendit, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një njoftim nga Komisioneri i Lartë i OKB-së së për Refugjatët (UNHCR) janë ndarë të dhëna lidhur me krizën e refugjatëve në Ukrainë, sipas të cilës në periudhën 24 shkurt – 11 prill gjithsej 4.615.830 persona kaluan nga Ukraina në vendet fqinje, prej të cilëve më shumë se gjysma e tyre në Poloni.

Vendet fqinje ku ukrainasit kanë kaluar më shumë janë Polonia (2.645.877), Rumania (701.741), Rusia (433.083), Hungaria (428.954), Moldavia (413.374), Sllovakia (320.246) dhe Bjellorusia (21.292). Në njoftimin e UNHCR-së thuhet se në periudhën 21-23 shkurt nga rajonet Donetsk dhe Luhansk kanë kaluar në Rusi 113 mijë persona.

Zëdhënësja e UNHCR-së, Shabia Mantoo për AA ka thënë se shifra e përgjithshme është e lartë sepse disa refugjatë ukrainas udhëtojnë mes vendeve fqinje.

Qindra mijëra refugjatë që kalojnë nga Ukraina në vendet fqinje shpërndahen më pas në vendet e tjera të Evropës.

Ndërkohë, Organizata Ndërkombëtare për Migracionin (IOM) thekson se brenda Ukrainës janë zhvendosur 7.1 milionë civilë.

– Të paktën 1.892 civilë kanë humbur jetën në Ukrainë

Sipas një deklarate nga UNHCR-ja, të paktën 1.892 civilë kanë humbur jetën dhe 2.558 të tjerë janë plagosur në luftën Rusi-Ukrainë gjatë periudhës 24 shkurt – 11 prill.

Në njoftim thuhet se numri i civilëve të vrarë dhe të plagosur mund të jetë shumë më i lartë.

Shumica e humbjeve civile kanë burim përdorimin e armëve shpërthyese me një gamë të gjerë veprimi, përfshirë sulmet ajrore dhe bombardimet nga artileritë e rënda dhe sistemet multi-raketahedhësve.

OKB-ja deklaron vetëm shifrat që mund të konfirmojë në lidhje me viktimat civile në Ukrainë. Ndërsa sipas autoriteteve ukrainase, numri i civilëve që kanë humbur jetën është shumë më i lartë.

Kategoritë
BotaLajme