OKB: Të paktën 726 civilë të vdekur në Ukrainë, mbi 3 milionë refugjatë të larguar drejt vendeve fqinje

Në deklaratën e bërë nga Komisioneri i Lartë i Kombeve të Bashkuara për Refugjatët (UNHCR), raportohet se 3.063.095 refugjatë ukrainas kaluan në vendet fqinje nga data 24 shkurt deri më 15 mars

Kombet e Bashkuara (OKB) njoftuan se të paktën 726 civilë kanë humbur jetën në Ukrainë gjatë luftës me Rusinë, kurse 1.174 civilë janë plagosur dhe mbi 3 milionë refugjatë kanë kaluar në vendet fqinje pas ofensivës ruse, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në deklaratën e bërë nga Komisioneri i Lartë i Kombeve të Bashkuara për Refugjatët (UNHCR), raportohet se 3.063.095 refugjatë ukrainas kaluan në vendet fqinje nga data 24 shkurt deri më 15 mars.

Numri i refugjatëve të cilët kanë shkuar në Poloni ka arritur në 1.857.045, në Rumani 467.703, në Moldavi 344.454, në Hungari 272.943, në Sllovaki 220.977, në Rusi 155.841 dhe në Bjellorusi 1.816 refugjatë.

Për më tepër, midis datave 18 dhe 23 shkurt, rreth 96 mijë persona kanë kaluar në Rusi nga rajonet Donetsk dhe Luhansk.

Siç theksohet, qindra mijëra refugjatë kanë shkuar në vende të tjera të Evropës nga vendet fqinje të Ukrainës.

Edhe pse UNHCR njoftoi për të paktën 726 civilë të vdekur dhe 1.174 të plagosur, organizata tha këto shifra mund të jenë edhe më të larta.

OKB-ja publikon vetëm shifrat që mund të konfirmojë në lidhje me viktimat civile në Ukrainë. Sipas autoriteteve ukrainase, numri i civilëve që kanë humbur jetën shprehet në mijëra.

Kategoritë
BotaLajme