Operacion anti-drogë në 7 vende të Evropës, kapen 45 persona shumica e të cilëve shqiptarë

Organizata ndërkombëtare e krimit ka shpërndarë kokainën e sjellë nga Amerika e Jugut nëpërmjet detit, ajrit ose tokës në pjesë të ndryshme të Evropës, ndërsa në disa vende kanë pastruar paratë e ardhura nga droga

Në kuadër të operacioneve të zhvilluara në shtatë vende të Evropës janë arrestuar 45 persona, shumica e të cilëve shqiptarë, anëtarë të një organizate ndërkombëtare të drogës, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në njoftimin nga Policia e Spanjës thuhet se në operacionet e kryera në Spanjë, Belgjikë, Itali, Holandë, Gjermani, Kroaci dhe Britani, me mbështetje të FBI-së, policisë së Bashkimit Evropian (EUROPOL) dhe Njësisë së Bashkëpunimit Gjyqësor të Bashkimit Evropian (EUROJUST), është goditur njëra prej organizatave më të rëndësishme të kontrabandës së kokainës në Evropë.

Më tej, njoftohet se në operacionet në kuadër të hetimeve të kryera rreth 4 vite, nga shtatë shtete kanë marrë pjesë mbi 580 pjesëtarë të sigurisë dhe janë arrestuar 45 persona, prej të cilëve shumica shqiptarë.

Theksohet se organizata ndërkombëtare e krimit ka shpërndarë kokainën e sjellë nga Amerika e Jugut nëpërmjet detit, ajrit ose tokës në pjesë të ndryshme të Evropës, ndërsa në disa vende, përfshirë Spanjën, Gjermaninë dhe Kroacinë, kanë pastruar paratë e ardhura nga droga.

Në Spanjë janë kapur tetë persona të grupit kriminal që kanë qenë aktivë në Mallorca dhe Barcelona, ndërsa në bastisjet e kryera janë konfiskuar 203 mijë euro, 16 orë dore luksoze, 7 automjete luksoze, 1 jaht dhe 86 vepra artistike me vlerë prej rreth 5 milionë eurosh.

Gjithashtu njoftohet se organizata kriminale ka pastruar 30 milionë euro duke blerë pasuri të paluajtshme në Mallorca.

Pjesa tjetër e rëndësishme e operacioneve është zhvilluar në Belgjikë, ku janë arrestuar 30 persona.

Kategoritë
BotaLajme