Opozita akuzoi se gjendet për pushim në Turqi, Haskuka përgjigjet me nënshkrim të memorandumit për bashkëpunim me një komunë në Turqi

Gjatë javës kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka së bashku me kabinetin e tij ishin temë e opozitës të cilët akuzuan se gjenden për pushime në Turqi.

Pas këtyre pretendimeve Haskuka në një postim në rrjetin social Facebook ka bërë të ditur se në qytetin Antalia gjendet për përkahjen e dy klubeve prizenase që ishin pjesë e turnirit ndërkombëtar dhe këtë udhëtim ai ka realizuar privatisht duke mos shfrytëzuar buxhetin komunal.

Kryetari i Komunës agjendën ka vazhduar duke vizituar qytetin e Izmirit ku ka nënshkruar memorandum mirëkuptimi për intensifikimin e bashkëpunimit në mes të dy komunave dhe përgatitjen e projekteve të përbashkëta, që do të çojnë në përfitimin e granteve ndërkombëtare, sidomos të atyre të Bashkimit Evropian.

Postimi i plotë

Si të ftuar nga Komuna e Konakut, komunë e binjakëzuar me Prizrenin dhe komunë e vlerave multi-kulturore në Izmir, u mirëpritëm nga kryetari i kësaj komune, z. Abdül Batur, me të cilin kemi nënshkruar memorandum mirëkuptimi për intensifikimin e bashkëpunimit në mes të dy komunave tona dhe përgatitjen e projekteve të përbashkëta, që do të çojnë në përfitimin e granteve ndërkombëtare, sidomos të atyre të Bashkimit Evropian.

Gjatë kësaj vizite patëm mundësinë që të shohim nga afër disa nga projektet e rëndësishme të kësaj komune dhe t’i shkëmbejmë përvojat në fushën e arsimit, turizmit dhe mirëqenies sociale. Përveç këtyre, gjatë kësaj vizite patëm mundësinë që t’i shohim edhe vlerat e projektet kulturore të kësaj komune, si dhe zonën industriale, të cilën jemi duke e realizuar edhe në komunën tonë.

Përveç vizitave në projekte të ndryshme të Komunës së Konakut, po ashtu vizituam edhe “Universitetin Ege” në Izmir, një ndër universiteteve më të njohura në Turqi, ku u pritëm nga rektori z. Necdet Budak. Gjatë këtij takimi biseduam për mundësitë e rritjes së numrit të studentëve kosovarë në këtë universitet dhe të realizimit të programit Erasmus për të rinjtë tanë, si dhe të mbajtjes së trajnimeve për orientim në karrierë dhe edukim profesional.

Falënderoj Komunën e Konakut për mikpritjen dhe interesimin e treguar për të bashkëpunuar me komunën tonë, i cili së shpejti do të kurorëzohet me projekte konkrete!

https://www.facebook.com/mhaskukaa/posts/1225525224585652

Kategoritë
LajmeVendi