Osmani dhe Gërvalla presin Ministren e Jashtme të Gjermanisë, Presidentja njofton për çka është folur

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, së bashku me Ministren e Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla, kanë pritur në takim kryediplomaten gjermane Annalena Baerbock.

Osmani ka thënë se në takim është folur për zhvillimet e fundit, si dhe që marrëdhëniet bilaterale mes dy vendeve janë më të forta për shkak të mërgatës kosovare që jeton atje.

Gjermania është partner strategjik i Kosovës jo vetëm në aspektin politik, por edhe atë të sigurisë dhe ekonomisë. Pata kënaqësinë që, së bashku me Zëvendëskryeministren Gërvalla, të mirëpresim në takim, Ministren e Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Annalena Baerbock, me të cilën biseduam për zhvillimet aktuale”, ka shkruar Osmani.

“Kosova e konsideron Gjermaninë si një forcë lëvizëse për integrimin euroatlantik të Kosovës dhe rajonit. Marrëdhëniet me këtë shtet i bëjnë edhe më të forta një numër i madh i mërgimtarëve kosovarë, të cilët jetojnë dhe janë të integruar mirë në Gjermani. Presim të punojmë bashkërisht për një të ardhme më të mirë të Kosovës dhe rajonit!”, përfundoi Osmani në një status në Facebook.

Kategoritë
LajmeVendi