Osmani e fton Selakoviqin të kërkojë falje për masakrat në Kosovë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka kërkuar nga ministri i Jashtëm i Serbisë, Nikola Selakoviq, që të gjunjëzohet para monumenteve të viktimave të luftës në Kosovë dhe të kërkojë falje për gjenocidin e kryer në Kosovë nga Serbia. Ajo ia ka përmendur vazhdimisht masakrën e Poklekut dhe 54 viktimat e saj duke i kërkuar të gjunjëzohet para pllakës përkujtimore.

Deklarata e saj erdhi si kundërpërgjigje ndaj Selakoviqit që në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara e cilësoi Osmanin si gënjeshtare e injoruese të raportit të UNMIK-ut që e nxirrte Kosovën fajtore për situatën e tensionuar në veri.

Selakoviq i quajti përralla deklaratat se Kosova është kampione e paqes dhe stabilitetit. Ai madje akuzoi shtetin e Kosovës se njëanshmëria e tij po “i shkatërron të gjitha përpjekjet për të arritur një zgjidhje përfundimtare”.

Selakoviq vazhdimisht i është referuar Osmanit si qytetare e Serbisë, teksa i kërkoi asaj të ngrihet në këmbë kur përmend emrin e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Në anën tjetër, Selakoviq përmendi edhe emrat e ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të cilët po gjykohen në Hagë, duke shprehur pretendimet se ata kanë kryer krime me organe njerëzish.

Në përgjigjen e saj, Osmani i ka quajtur të gjitha deklarimet e Selakoviqit propaganda.

Ajo i është drejtuar atij me fjalët se është “qytetare krenare e Republikës së pavarur dhe sovrane të Kosovës”.

“Republika e pavarur nuk shkon askund. Më mirë të ballafaqoheni me këtë realitet. Që edhe ju edhe qytetarët tuaj të shohin një të ardhme në paqe ku udhëheqësit s’bëjnë lufta e destabilizime. Populli juaj ka vuajtur shumë nga ju. Jo vetëm ne, por edhe ata. Ekziston një tragjedi prapa secilit refugjat. Kam qenë vetë një e tillë, dhe mbi 80 për qind e popullit të vendit tim kemi qenë të detyruar të ikim nga regjimi gjenocidal i Millosheviqit që po lartësohet tash çdo ditë”, ka thënë Osmani teksa ka numëruar raportet ndërkombëtare që nuk nxjerrin asnjë incident serioz etnik në Manastirin e Deçanit, siç pretendon Serbia. “Është Policia e Kosovës, shumëetnike e Kosovës së pavarur, që po i siguron Kishat”, ka thënë ajo.

Kategoritë
LajmeVendi